Tirana me të gjitha ngjyrat e saj të festës mblodhi në sheshin “Skënderbej” qytetarë të shumtë në koncertin e organizuar me rastin e Krishtlindjes dhe festes  se fundvitit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e çeli mbrëmjen festive me një urim të veçantë.

“Ky shesh është bërë më i bukur se kurrë këtë fundvit dhe më vjen mirë që, e gjithë ajo punë dhe sakrificë për fëmijët e qytetit po shpërblehet çdo ditë e më shumë. Dua t’i uroj dhe gjysheve dhe gjyshërve gëzuar festat. Ata kanë sakrifikuar kaq shumë, është ndoshta brezi më i përvuajtur, që ka kaluar situatat më të vështira të historisë sonë, por edhe ka kontribuuar kaq shumë për vendin”, tha Veliaj.

Veliaj në fjalën e tij përmendi edhe dy lajme për qytetarët.

“Më vjen mirë që nga data 1 janar të gjithë gjyshërit dhe gjyshet do të kenë mundësi të udhëtojnë falas me autobus, me abonenë e subvencionuar nga Bashkia e Tiranës. Nga data 1 Janar, Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut: do të thotë se do të kemi pafund aktivitete ku mund të vini të këndoni, të kërceni. Gëzuar festat e bekime për të gjithë”, tha Veliaj.

Një urim i veçantë për shërim sa më  të shenjtë shkoi për këdo që është sëmurë, e për të dekurajuarit Veliaj uroi që të gjejnë forcë dhe guxim.

Tv Klan