Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kanë filluar sërish radhët me shtetas që duan të pajisen me pasaportë për jashtë vendit. Në drejtorinë e policisë së Tiranës vetëm për muajin Qershor janë prodhuar 7 mijë pasaporta. Kërkesat për pasaportë janë rritur për shkak të sezonit të pushimeve, kthimit të emigrantëve për rinovim dokument, si dhe mbarimit të afatit të pasaportave të vjetra për shumë shtetas.

Si pasojë e kërkesave të shumta, zyra e pasaportave pranë kësaj drejtorie është detyruar të zgjasë sërish afatin për pajisje nga 15 ditë në një muaj. Kjo ka krijuar probleme sidomos për emigrantët që janë kthyer në vend për të rinovuar pasaportën.

Ndërkohë bëhet e ditur, se volumin e punës për zyrën e pasaportave ka rritur dhe një numër i lartë i aplikimeve të ardhura nga ambasadat, ndërsa procedura e pajisjes me pasaportë për këta shtetas është lehtësuar, duke hequr verifikimin fizik, që do të thotë se pasaporta mund të prodhohet dhe pa u paraqitur vetë personi në komisariatin e policisë./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj