Fshati dhe problemet e fermerëve kanë qenë në fokusin e takimit që kryesocialisti Rama ka zhvilluar me banorët e komunës së Golemit. Banorët e kësaj zone kanë ndarë me Ramën shqetësimin për problemet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe atë që përdoret për vaditjen e tokave bujqësore si dhe për koston e lartë që ka punimi i tokës. Duke mbështetur shqetësimin e tyre Rama ka deklaruar se po punohet për një alternativë të re socialiste për fshatin e cila do të përfshijë mendimet e njerëzve që sipas tij janë kontributorët real të programit të PS.
Edi Rama: “Ju nuk keni nevojë për gënjeshtra të reja, ju keni nevojë për zgjidhje, ju nuk keni nevojë për premtime të reja që nuk mbahen, ju nuk keni nevojë më për një kryeministër dhe për ministra që tallen me ju, që ju tregojnë se çfarë hobi të madh ka marrë turizmi, se çfarë hobi të madh ka marrë bujqësia, se çfarë zhvillimi të madh ka marrë Shqipëria ndërkohë që realiteti është shumë i hidhur”.
Rama ka fajësuar qeverinë se ka lënë fshatin në varfëri duke stimuluar papunësinë, ndërsa s’ka politikan nxitëse për bujqësinë dhe blegtorinë.
Edi Rama: “Por kjo qeveri, qeveria e Sali Berishës qe flet për bollëkun, është qeveria e trollëkut dhe ai nuk është Sali bollëku, ai është Sali trokllëku, sepse janë trok familjet shqiptare që duan të jetojnë me punë të ndershme dhe veçanërisht familjet shqiptare në periferitë urbane dhe në fshat”.
Rama ka premtuar se në programin e ri të PS-së do të ketë një zgjidhje të mirë menduar për uljen e kostos së prodhimeve bujqësore./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka