Kryeministri Edi Rama thotë se nisma e qeverisë anti-KÇK për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, mbështetet nga pjesa më e madhe e popullsisë.

Gjatë fjalimit në Parlament, Rama dha shifra konkrete të sondazhit të bërë nga zyra e tij. Sipas Kryeministrit, janë 72% e qytetarëve që mbështesin nismën anti-KÇK.

“Po ju them sot, opinioni publik shqiptar mbështet 72% anti-KÇK. Jam i pakënaqur akoma me këtë shifër, sepse e di shumë mirë që shifra do të jetë më e lartë sa më shumë mjegull t’ju largohet shumë njerëzve që bombardon nga marrëzia e yshtur prej 1001 arsyeve. Ca kanë marrëzinë që yshten nga frika se po u vjen dita të përballen me të shkuarën e tyre. Ca të tjerë kanë marrëzinë e të qenit kundër edhe kur në një rast si ky nuk është çështja kush e bën, po është çështja çfarë bën dhe çfarë sjell për ty kjo. Dhe çfarë kupton populli dhe pse populli kupton shumë më shumë dhe shumë më shpejt. Sepse nëse nuk zhytet në teori edhe nëse nuk ndjek fillin e debateve konceptuale, populli ndjen. Populli ka virtytin e madh të të ndjerit të të drejtës dhe të vërtetës”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al