Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin e Sigurisë GLOBSEC që po mbahet në Pragë. Gjatë diskutimit mbi temën “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”, kreu i qeverisë foli për integrimin në BE, duke thënë me ironi se u desh lufta në Ukrainë që BE-ja të kuptonte rëndësinë e rajonit tonë.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Përgëzoj Putinin, se falë tij BE kuptoi sa e rëndësishme ishte të kishte pranë Ballkanin Perëndimor. Ishte diçka fatkeqe, na duhej Vladimiri për ta bërë të qartë këtë gjë. Përpara pushtimit në Ukrainë, kishte njerëz që thoshin se NATO nuk ka pse të ekzistojë më. Kishte shumë njerëz në union që nuk besonin aspak në atë që e përsërisnin si moto se Ballkani Perëndimor duhet të jetë në BE, duke e bërë njësoj si komunistët njëherë e një kohë që na thoshin se vendi ynë është në parajsën tokësore. Realiteti goditi fort, lufta në Ukrainë tronditi tërësisht status kuonë. BE nisi të ndërgjegjësohej sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor. Von der Leyen luajti rol thelbësor, që prej ditës së parë u përpoq të përcillte mesazhin, por iu desh edhe ndihmë nga Putini
Teksa i kujtoi investimin që Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump pritet të bëjë në ishullin e Sazani, moderatori pyeti kreun e qeverisë se si mund të mbajë marrëdhënie të mira si me presidentin e SHBA, Joe Biden dhe me Trump. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, kreu i qeverisë solli si shembuj marrëdhëniet që Shqipëria ka Greqinë dhe Turqinë.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Jam i vetëdijshëm që përfaqësoj një vend të vogël që ka nevojë për miq. Meqë ra fjala, jam mik edhe me Jared Kushner edhe me Aleks Sorosin. Është një konfrontim edhe më me “krip”, sesa Biden-Trump. Shqipëria është mike me Greqinë dhe Turqinë, si mund të marrim anë? Ne mendojmë si të forcojmë miqësitë me të dyja vendet. Unë jam mik i mirë me Melonin. I kam shpjeguar të mive që s’është ide e mirë të mendohem si tradhtar nëse shkoj flas te një takim i saj. Unë besoj që të flasësh me njerëzit, madje dhe të mos biesh dakord, është më mirë se të mos flasësh dhe të shtosh mosmarrëveshjet.
Kreu i qeverisë u shpreh se Rusia nuk ka mbështetje në Shqipëri, por theksoi se ka shtete të tjera në rajon që e mbështesin dhe se për këtë arsye tha ai , Serbia duhet të mbahet në anën e BE dhe të punohet për dialogun me Kosovën.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Sa i përket Rusisë nuk jemi të interesuar, kështu që ajo nuk mund të gjejë spiunë të gatshëm t’i shërbejnë për pak para. Aty ku mund të jetë vërtetë problem është në pjesë të tjera të Ballkanit, dhe ndaj na duhet që Serbia dhe Kosova të dalin nga konflikti, dhe na duhet ta mbajmë Serbinë sa më shumë në anën tonë. Shqipëria shumë qartësisht është në anë të paqes, dialogut, përparimit të përbashkët. Në këtë drejtim ne kemi promovuar paqen dhe dialogun me të gjithë. Ndaj ndërmora nismë të vizitoja Serbinë 68 vjet nga vizita e fundit atje. Nuk duhet të ardhmen me sytë e së shkuarës.
Para nisjes së forumit, kryeministri Edi Rama u takua në Prag edhe me kryetaren e Komisionit Europain, Ursula Vond der Leyen.
Klan News