Edi Rama ka dhënë një afat të saktë në takimin me pensionistët e Fierit se kur do të rriten pensionet.
“Anëtarësimi në BE dhe rritja e pensioneve janë 2 objektivat themelorë të mandatit të katërt dhe për këtë mos kini as më të voglin dyshim.”
Ajo që pensionistët do të përfitojnë në një kohë më të shpejtë është bonusi i rritur i fundvitit.
“Po përgatitemi që të bëjmë një bonus tjetër të ri që të jetë një bonus i përvitshëm dhe të jetë më i lartë se ky që është.”
Por kryeministri edhe pse e solli në formën e një batute të shkëmbyer me zevendësen e tij, Ministren e Energjitikës, la të kuptohet se do të ketë ulje të çmimit të energjisë për kategorinë e pensionistëve.
“I kam thënë ‘Belindës nuk e di si do ia bësh, por tani që vajte në Fier, po deshe që ata në Fier të të mbajnë në krahë, duhet qoftë edhe një qindarkë të ja ulësh çmimin e energjisë elektrike’. I kam thënë që ‘nuk duhet ta kalojmë Vitin e Ri pa ju thënë pensionistëve që 1 Lekë, 1 Lekë’.”
Plani më ambicioz dhe me afatgjatë është ai që për çdo përqindje të rritjes ekonomike që shkon përtej parashikimeve, të shkojë si e ardhur për pensionet.
“Në çdo pjesë që rritet mbi parashikimet, ne duam ta lidhim me pensionistët dhe të themi që këtë do ta marrin pensionistët.”
Rama shpjegoi sërish edhe në turin e bashkëbisedimit në Fier që tanimë e ka shtrirë në të gjithë vendin, përse nuk mundet që rritja e pensioneve të jetë e sinkronizuar me rritjen e pagave.
“Ju duhet të jeni të parët që të gëzoheni kur rriten pagat sepse nga çdo pagë e rritur ne marrim më shumë për të rritur pensionet.”
Kryeministri përsëriti se plani që qeveria ka gati tashmë do të godasë shumë ashpër të gjithë punëdhënësit, të cilët nuk deklarojnë pagat reale për punonjësit e tyre.
Tv Klan