Lajme Arkiva 2003
Dy kandidatët që garojnë për kreun e Partisë Socialiste kryeministri Fatos Nano dhe kryebashkiaku Edi Rama, janë përballur për herë të parë me njëri tjetrin në konferencën e Partisë Socialiste në rrethin e Shkodrës duke mos preferuar as ti japin dorën njëri-tjetrit.
Për Nanon Konferenca e Shkodrës ka shënuar edhe fillimin e fushatës së tij kongresuale. Fjalimi i Edi Ramës përpara socialistëve shkodran është ndërprerë herë pas herë nga thirrjet e fanatikëve të kryeministrit. Kandidati Rama në fjalën e tij shprehu shqetësimin për rezultatin e zgjedhjeve të 12 tetorit, që sipas tij janë edhe shprehje e krizës qeverisës.
Edi Rama: Këto fenomene të shfaqura si fenomene pakicash bllokuese janë fenomene që nuk mund të evitohen dhe asfiksohen pa kuptuar se ose do i bëjmë Partisë Socialiste një operacion me sens të një gjithëpërfshirje dhe të një modernizimi të mëtejshëm, ose natyrisht do të zgjedhim rrugën e bunkerizimit të Partisë Socialiste duke anatemuar si armiq të partisë të gjithë ata që shfaqen përmes këtyre pakicave bllokuese. Ka vend për të hapur debatin e legalizimit të mendimit ndryshe në Partinë Socialiste, një debat i cili nuk mund të konsiderohet më si tabu. Partia Socialiste, në shembullin e shumë simotrave të tjera të krijojë një fondacion të vetin për përpunimin e mendimit politik. Një fondacion të cilin fare mirë mund ta quanim “Fondacioni Qemal Stafa”.
Rama akuzoi Nanon se po ble votat e delegatëve.
Edi Rama: U ula në një kafe dhe takova plot njerëz, njëri nga ata, erdhi, u ul në tavolinë dhe më tha këto fjalë: “unë jam delegat i kongresit të Partisë Socialiste që nga viti 1991, kësaj radhe nuk do të jem. Sepse në kryesinë e partisë së atij qyteti më thirrën dhe më thanë, në qoftë se nuk voton për Fatos Nanon do të heqim gruan nga puna”.
Ndërkohë që Rama ka mbajtur fjalimin e tij kryeministri Nano ka mbajtur shënime dhe në raportin e tij i është përgjigjur të gjitha problemeve që ngriti kryebashkiaku Rama.
Fatos Nano: Konkurrentët e mijë nuk njohin as elementet bazë të konkurrimit, pasi konkurrimi është fisnikëri dhe vlerë. Zoti Rama, mirëserdhe në Partinë Socialiste, s’më ke dhënë akoma dorën që kur more teseren e saj. Partia jonë e ka të institucionalizuar garën dhe konkurrimin për udhëheqje në të gjitha nivelet dhe në asnjë rast fituesi nuk ka likuiduar kundërshtarët. Natyrisht ka një krizë etike në Partinë Socialiste, por kjo nuk është kriza e qeverisjes i dashur Edi. Kjo është një parti që kurrë nuk ka qenë e bunkerizuar, kjo parti nuk arriti të kthehej në bunker as në tallazet e regjimit të Berishës që ty të hodhën jashtë shtetit e mua më hodhën në burg. I dashur Edi ti i ke pasur të gjitha shanset të integrohesh me shumicën. Ti edhe këtu sot po flet në emër të pakicave. Ti nuk ke asnjë arsye të sillesh si përfaqësues i pakicave dhe tu qash hallin pakicave se mos diktatura jonë socialiste do i masakrojë. Në qoftë se ti do zgjedhësh përfundimisht opsionin e pakicave, atëherë unë jam i detyruar të të kujtojë se niveli i përsëritur i votimit tënd maxhoritar si kryetar i Bashkisë së Tiranës, është i përbërë nga dy pjesë, nga pjesa e shumicës prej 49% dhe nga pjesa jote e pakicës, prej 9% mbi Partinë Socialiste. Mos e trajto si kundër teje 49% që ke marrë në Tiranë. Vazhdo ti shërbesh asaj se ne jemi shumë të lumtur që ke arritur të na japësh edhe 10% të votave më shumë, por këto nuk janë siç the ti, dhe këtu bashkohemi, pjesë që kundërshtojnë njëra tjetrën, janë pjesë që komplementojnë njëra-tjetrën dhe prandaj mos u sill si përfaqësues i pakicës, vazhdo të sillesh si përfaqësues i shumicës se prandaj je rivotuar.
Nano nuk ka nguruar të godasë nga kjo konferencë dhe kundërshtarin tjetër për kreun e Partisë Socialiste Rexhep Meidanin por edhe mbështetësit e tij kryesor Meta dhe Gjinushi.
Fatos Nano: Nëse më lejoni po ju drejtohem këtyre shokëve Edit, Rexhepit, Ilirit dhe gjithë të tjerëve, vetëm një këshillë, mos veproni kështu. Mos e nëpërkëmbni partinë tonë dhe anëtarësinë e saj të mrekullueshme, mos hidhni baltë mbi të. Kjo nuk është parti e episodeve të vogla, kjo është parti e ngjarjeve të mëdha e aq më pak kjo është parti e ngacmimit të grave të shokëve. Dhe po ju lajmëroi se sot edhe ne kemi të drejtë të festojmë se sot është Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Sidës, ne nuk kemi virusin HIV në Partinë Socialiste dhe virusi HIV në Partinë Socialiste është diktatura e proletariatit që na përmendi shoku Edi.
Pas fjalimit të Nanos Rama ka kërkuar fjalën për t’ju kundërpërgjigjur, por nuk është lejuar. Rama ka propozuar një konferencë për shtyp në ambientet e jashtëm të hotelit ku dhe ka zhvilluar punimet konferenca.
Edi Rama: Dëshiroj të ritheksoj edhe njëherë se kjo është një shfaqje tjetër e krizë pasi mendoj se nëse ka debat, debati nuk mund të jetë me një sens, nuk mundtë jetë me një krah, ashtu sikundër nuk mendoj që nëpërmjet shtrembërimit të fateve dhe artikulimit të gjuhës në forma të cilat nuk i ndihin debatit por i ndihin agresivitetit të sallave të mbyllura në nuk zgjidhim gjësendi./tvklan.al