Qeveria ka nisur një diskutim me pensionistët për të folur për gropën financiare ku ndodhet skema e pensioneve, e cila ka pamundësuar deri më tani rritjen e pensioneve. Por sipas kryeministrit të gjitha masat që do të ndërmerren, që do të çojnë në rritjen e pensioneve.

“Rreth 500 milionë euro për të pasur mundësi që ne të kemi pensione më të larta, pensionet që kemi, dhe këto 500 milionë euro, çdo vit, qeveria i nxjerr nga buxheti, pra i merr nga taksat dhe i kalon tek pensionistët, normal… shmangia e sigurimeve shëndetësore, janë dhe aty rreth 500 milionë të tjera, pra janë rreth 1 miliardë euro në total afërsisht që çdo vit buxheti i shtetit i nxjerr për pensionistët dhe për shëndetësinë për të mbuluar gropën e madhe të viteve të kaluara pa reforma”.

Janë disa faktorët që ndikojnë që skema e pensioneve të ketë vështirësi: ulja e numrit të kontribuueseve ku ndikon kryesisht emigracioni, rritja e jetëgjatësisë çka bën që pensionet të paguhet për një kohë më të gjatë dhe ajo që është më vendimtare, mosdeklarimi i pagave reale çka detyrimisht bën që dhe kontributet e sigurimeve shoqërore që derdhen të jenë më të ulëta. Ndaj kryeministri paralajmëron si reformë të ngjashme me atë të energjisë elektrike për të gjithë sipërmarrësit që nuk deklarojnë paga reale.

“Ne do të sillemi njësoj si me ata që nuk paguanin energjinë elektrike sepse ndryshe si do dalin këto?”

Por Rama premton se nga dhjetori kur pensionistët do të marrin bonusin e rritur të fundvitit, qeveria do të ndërmarrë hapa konkretë për rritjen e pensioneve që deri në 2030 sipas tij do të jenë dinjitozë.

“Duke filluat nga fundi i vitit ne do të përgatitemi që këto fjalë të marrin kuptim dhe kur flasim për Shqipërinë 2030 që duan, s’duan atë që s’duan dhe fatkeqësisht ata që s’duan janë më shumë se ç’duhet të ishin, ne do ta çojmë në Bashkimin Europian. Do ta çojmë në Bashkimin Europian, po ne nuk mundet ta çojmë në Bashkimin Europian edhe të vazhdojmë të bëjmë po këto muhabete. Pra do t’i japim gjatë këtyre viteve një kthesë shumë të fortë çështjes së pensionistëve duke e mobilizuar shoqërinë me hir apo pahir, me forcën e ligjit, e duke bërë që çdo kush që fiton para këtu në Republikën e Shqipërisë, atë pjesën që i takon pensionistëve të mos guxojë ta prekë. Ky është një plan dhe ky plan do të bëhet me hapa dhe do të fillojë që në fund të këtij viti dhe do të vazhdojë çdo vit duke rritur ambicien dhe duke ngjitur shkallët”.

Kryeministri u shpjegon pensionistëve dhe gjen rastin t’u kthejë përgjigje kundërshtarëve se indeksimi është detyrim që buron nga ligji dhe nuk ka lidhje me rritjen e pensioneve.

“Dhe ai indeksim nuk varet fare nga dëshira jonë, duam ne të jetë 4 apo duam ne të jetë 7 dhe nuk kemi ne asnjë të drejtë të ndërhyjmë aty e ta bëjmë katrën shtatë. Ajo është aritmetikë dhe ajo vazhdon normalisht, por mbani parasysh një gjë ama, që ai 4,1% që në pamje të parë është asgjë, është direkt 100 milionë euro. Pra ky është i gjithi një proces i imponuar nga faktorë objektiv, nuk është çështja a do, a s’do, se s’ka kryeministër në botë që nuk do të rrisë pensionet dhe nuk ka kryeministër në botë që nuk tundohet nga ideja: t’i rrisim pensionet se këta janë vota. Mirëpo të bësh këtë pa menduar është njësoj si t’i hapësh një gropë tjetër Shqipërisë me keq sesa ajo e piramidave dhe të gjithë këta që i dëgjoni ju, të të gjitha moshave që ju shfaqen, nga ata që ju i dini me rrënjë e dhëmballë dhe nga ata që janë akoma me dhëmbët e qumështit janë të gjithë produkte të politikes së piramidave, dinë të bëjnë vetëm piramida”.

Në fund Rama premton një ligj që do të bëjë njohjen automatike të viteve të punës përpara 1994.

“Është prap një barrë direkte për buxhetin, por që në fund të ditës, shyqyr që ekonomia po na funksionon dhe që era e ekonomisë është në favor qëllimi është që të arrijmë të kushtëzojmë qeverinë me ligj që në përqindjen e rritjes ekonomike”.

Sipas shifrave zyrtare janë afro 700 mijë pensionistë që përbëjnë 30 përqind e popullatës dhe çdo vite skemës i shtohen deri në 18 mijë pensionistë të rinj,  duke bërë që 1/4 e buxhetit përbëjnë fondin e pensioneve.

Tv Klan