Giorgia Meloni erdhi për një vizitë vetëm 150 minutëshe në Shqipëri për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjes për azilkërkuesit që parashikon ngritjen e dy qendrave, atë të pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe akomodimin e tyre në Gjadër.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, si Rama, ashtu edhe Kryeministrja italiane hodhën poshtë akuzat pas pubikimit të emisionit “Report” në Rai3 se qeveria shqiptare është narkoshtet.
“Qeveria shqiptare nuk ka bërë asgjë më shumë sesa ka ndihmuar qeverinë italiane. Ne kemi ndjekur një fushatë denigruese ndaj qeverisë shqiptare. Kemi dëgjuar etiketime sikur qeveria shqiptare është një narkoshtet. Nuk është hera e parë që Shqipëria ofron bashkëpunim. Edhe më parë historia e Shqipërisë ka treguar se ajo ka pasur dëshirën për të qenë pjesë e BE dhe për të gjetur ato mundësi bashkëpunimi”, tha Kryeministrja Meloni.
“Sipas SPAK nuk ekzistojnë premisat për të folur për një mafie shqiptare, term i përdorur për të hedhur baltë mbi Shqipërinë, duke cituar kreun e SPAK s’mund të themi se në këtë vend ekzistojnë struktura që u ngjanë, Ndrangheta, Cosa Nostra, Camorra, sepse grupet kriminele shqiptare s’kanë hierarki dhe veprojnë në rrethe të ngushta familjare apo shoqërore”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Njëzëri dy kryeministrat konfirmuan se kjo marrvëshje gëzon mbështetjen e Brukselit.
“Kjo marrëveshje mund të diskutohet shumë edhe nga vendet e tjera dhe mund të bëhet pjesë e zgjidhjes nga BE”, shtoi Kryeministrja italiane.
“Kjo marrëveshje nuk ka ndeshur në refuzim apo kontestim nga BE edhe është konsideruar si një përpjekje për t’u ndjekur në vijim si proces për t’u vlerësuar hap pas hapi”, theksoi Rama.
Por Rama shkoi edhe më tej kur shpjegoi arsyen e përzgjedhjes së Italisë fqinje, duke sjellë në vemendje edhe rastin e afganëve.
“350 afganë i mbajmë ne, i paguajmë ne siç na paguanin ne kur merrnim malet, kështu është jeta, ka një kohë për të dhënë dhe një kohë për të marrë. Jam krenar për Shqipërinë që i duhet t’i shërbejë Italisë”.
Detajet se kur do të hapen këto dy qendra i dha Kryeministrja Meloni.
“Qendrat do të jenë operative prej 1 Gushtit, fillimisht me 1 mijë vende dhe më pas për të mbërritur tek shifra 3 mijë vende. Dy muajt e vonesës janë shkaktuar për shkak të terrenit disi të vështirë në Gjadër. Sa i përket shpenzimeve të transportit 13.5 milionë Euro, por edhe sa i përket situatës në Detin e Kuq apo Mesdhe do shohim edhe trajtimin e tyre nga ana e Marinës Italiane. 334 milionë Euro kemi në vit, që përbëjnë 7.5% të trajtimit të emigrantëve në territor kombëtar”.
Ndërsa Rama i ktheu përgjigje kritikëve se çfarë përfiton Shqipëria nga ngritja e këtyre dy qendrave.
“Ne nuk kemi kërkuar asnjë Euro, se po të kishim kërkuar nuk do ishim ne. Çfarë do fitojë ekonomia lokale këtu nga kjo marrëveshje, ne nuk e kemi bërë këta kalkulim. Është e tmerrshme të shohësh sesi kjo marrëveshje është komentuar deri tek dhënia e tenderave të qendrës malavitës shqiptare. Gjithçka administrohet nga pala italiane”.
Sipas marrëveshjes së firmosur në 6 Nëntor të vitit të kaluar, në këto dy qendra do të trajtohen të gjithë emigrantët që mbërrijnë nga Afrika në brigjet e Italisë.
Tv Klan