Pas kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste edhe Edi Rama ka sqaruar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë vendimet e marra nga mbledhja maratonë e së martës.

Duke ripërsëritur të njëjtat qëndrime të përfshira në rezolutën e tij, siç është mosnjohja e zgjedhjeve, por pjesëmarrja në parlament, Rama shkoi edhe me tej duke thënë se socialistët do ta kërkojnë atë që ai e quajti transparencë të votës, edhe përmes protestave.

Edi Rama: “Ky rezultat është i papranueshëm për PS-në si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral. Do ndërtojmë një proces komunikimi intensiv që do të përkthehet në shfaqje demokratike të protestës, për një rezultat të papranueshëm.”

Në bashkëbisedimin e zhvilluar me gazetarët zoti Rama iu shmang interesit të medias në lidhje me një rikandidim të mundshëm të tij për të qenë në krye të selisë rozë, pas ndërprerjes së mandatit të tij, siç parashikon statuti i partisë.

Edi Rama: “Unë sot po komentoj qëndrimin zyrtar të PS-së, i cili nuk lidhet me aspektin tjetër që do të zgjidhë kongresi i jashtëzakonshëm që është lidershipi i PS-së. Besoj nuk do ma merrni për keq në qoftë se vazhdoj të them se çdo punë në radhën e vet. Pyetja e juaj e merr përgjigjen në kohën dhe vendin e duhur që është Kongresi i Jashtëzakonshëm.”

 Më tej zoti Rama sqaroi edhe arsyet se përse mbledhja e Asamblesë Kombëtare, për herë të parë në historinë e saj, u zhvillua pa praninë e mediave, çka shënoi edhe një precedent të ri në këtë parti.

Edi Rama: “Mbledhja e Asamblesë Kombëtare bëhen me statut të mbyllura dhe ato hapen për median vetëm me vullnetin e Asamblesë Kombëtare.”

Rama foli edhe për qëndrimin e kundërshtarëve të tij në parti, duke i cilësuar deklaratat e tyre si shprehje të diversitetit brenda partisë. Asambleja socialiste pati përplasje të dy rezolutave.

Ajo e prezantuar nga anëtari i kryesisë, Ben Blushi, detyroi socialistët të kthehen në kuvend.

Ndërsa vetë zoti Blushi përdori tone të ashpra ndaj Ramës, në fjalën e tij në asamble, duke thënë se ai po mban peng Partinë Socialiste vetëm për arsye personale.

Blushi tha gjithashtu se politika e re pati vetëm një rezultat, e përçau të majtën me keq se ç’e gjeti në vitin 2005 dhe se ajo është bërë aq e vjetër sa sot mohon edhe realitetin./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro