Tre etapat e para të garës së njohur çiklistike “Giro d’Italia” do të zhvillohen në Shqipëri nga data 9 deri më 11 Maj. Një event i cili do t’ia shtojë edhe më shumë popullaritetin vendit. Kryeministri Edi Rama shprehet se një ndër ngjarjet më të mëdha të sportit do të transmetohet nga 200 televizone anembanë botës.

“Këtë vit Shqipëria është zgjedhur si vendi i nisjes së madhe ku do të zhvillohen tre etapat e para dhe për tre ditë rresht bukuritë e vendit tonë, Durrësi e Kruja me historinë dhe peisazhet e tyre të mrekullueshme, Tirana me zhvillimin e saj mbresëlënës, Vlora me luginën e lumit të saj, majën e Llogarasë, ujërat e Jonit dhe Adriatikut do të ekspozohen në sytë e 800 milionë teleshikuesve. Pa llogaritur dhjetëra mijëra tifozë të çiklizmit që do të vijnë në Shqipëri për të ndjekur nga afër idhujt e tyre”, tha Edi Rama.

Për kreun e ekzekutivit, nga kjo do të përfitojë masivisht edhe turizmi në vend.

“Kjo ngjarje e madhe sportive ku kandidatura e Shqipërisë u përzgjodh për edicionin e Giros së këtij viti është tjetër pasqyrë kuptimplotë e rritjes së popullaritetit ndërkombëtar të vendit tonë ku deri para disa vitesh të tilla ngjarje as mund t’i imagjinoje. Nisja e Giro D’Italia në Shqipëri është tjetër shtysë e veçantë për rritjen e mëtejshme të industrisë tonë të turizmit që është industri e re por sapo e mbylli vitin e shkuar me thuajse 12 milionë turistë. Shqipëria po bëhet dita ditës dhe ngjitja e saj drejt majës së 2030 në BE vazhdon përditë. E pandërprerë dhe e pandalshme”, tha Edi Rama.

“Giro D’Italia” do të zhvillohet në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Gjatë garës do të jenë të pranishëm rreth 3 mijë sportistë të mbështetur nga stafet e tyre.

Klan News