Deputetja: Do të mbushësh vetëm egon tënde
Fjalimi i kryeministrit Edi Rama për ndërtimet e jashtëligjshme është shoqëruar nga një replikë me tone të forta nga deputetja opozitare, Rudina Hajdari.
Ajo akuzi kryeministrin për ndërtimet e pallateve dhe tha se po abuzohet në kurriz të shqiptarëve. Sipas Hajdarit, Rama është vetë pjesë e skandalit me ndërtimet pasi ka qenë kryetar Bashkie i Tiranës.
“Kush e ka fajin për gënjeshtrat që thotë sot zoti kryeministër. Që sot në Tiranë nuk ka parqe, nuk ka lodra, për fëmijët. Nuk ka asnjë lloj gjëje. Janë kthyer në gropa masive për të ndërtuar pallate pafund nga një grup njerëzish. Kush e ka fajin për ata? Apo nuk flet për ata se me ata komunikon gjithë ditën, me ata ndan pazaret, por merret me qytetarët e thjeshtë që po ndërtokan katër kate pa leje. Ky është problemi që kemi sot në Shqipëri? Ç’është ky skandal? Si vjen sot dhe ka një vit që endesh nëpër rrugët e Evropës dhe merresh me superegoizimin dhe do të mbushësh vetëm egon tënde, takon Kancelaren Merkel, Presidenten e KE-së dhe nuk ke të ngopur. Pse? Sepse do vetëm të dalësh në foto me ta dhe të tregosh që ti je lideri superm i këtij vendi. Sot ka fëmijë që nuk i garantohet vakti i bukës. Ka fëmijë që nuk kanë ku të shkojnë dhe të mësojnë. Ky është realiteti në Shqipëri sot. Nuk është shpifje të thuash nëpër shkolla sot nuk ka ngrohje. Sot ju duhet të jeni realist me shqiptarët. Pse nuk u thoni shqiptarëve që PPP-të po i varfërojnë dhe po bëjnë miliarderë disa. Thuaju sot që po abuzohet masivisht sot në kurrizin e tyre. Sot shqiptarët paguajë më shumë se çdo vend të rajonit për litrin e naftës. Zoti Kryeministër ky është realiteti jonë dhe nuk duhet të flisni për ndërtimet pa leje se është e turpshme, keni qenë kryetar Bashke i Tiranës për 11 vite, ju jeni pjesë e këtij skandali. Sot në Shqipëri është krijuar modeli më i frikshëm. Kemi një mentalitet të shthurur. Ka ardhur nga krimi, korrupsioni që mbrohet nga pushtetarët. Po të ecësh në Bllok kupton se çfarë ndodh në Shqipëri. Ne nuk kemi mënyrë komunikimi. Ne kemi arritur në një pikë shumë kritike. Nuk mund të vazhdojmë në këtë lloj mënyre. Prandaj do vazhdoj dhe të them realitetin në këtë sallë dhe nuk druhem nga asnjë. Ky është roli im dhe do luftoj deri në fund. A do bëjmë ndonjë gjë për këtë Shqipëri apo jo? Prandaj thirrini mendjes”, tha Hajdari.
Por i menjehershëm ishte edhe reagimi i kreut të qeverisë Edi Rama. Ai tha se Hajdari është e ngjashme me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Ai i kërkoi deputetes që të sistemojë rrugët “e mendimit dhe të fjalive”.
“Opozitën nuk e zgjedh, opozitën e ke. E kishim, opozitën këtu nën udhëheqjen e atyre që ikën prej këtej, tashmë kemi opozitën që nuk ikën pas tyre. Në fjalimet tuaja zonja Hajdari ju jeni si dy pika uji me ata që nuk janë këtu. Nëse ka një ndryshim mes jush dhe le të themi kryetarit të ish-partisë tuaj, e dini kush është? Ai gënjen me dashje, ju gënjeni pa dashje. Ai bën sikur s’kupton, ju nuk kuptoni. Fjalimit e tij janë si ndërtimet me leje e dalë nga leja, ndërsa të tuajat janë si ndërtime pa leje. Ju kaloni nga betonizimi, krevatet në spital, tek nënat që ulërasin në imagjinatën tuaj, tek PPP-të. Nuk dini të dalloni fantazinë, metaforën, gënjeshtrën, shpifjen, opinionin, akuzën. Një trishtim i madh, kur mendon që flisni në emër të të resë që po vjen me furi për të shembur të vjetrën që ka përballë. Nëse ka diçka që ju mund të bëni është të sistemoni rrugët e mendimit dhe të fjalive e fjalëve”, tha Rama./tvklan.al