I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryeministrisë, pasi zyra e shtypit të Presidencës njoftoi më herët se ka nisur një proces bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse, në lidhje me propozimin e ri për emërimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.
“Duke nënvizuar se “herën e pare”, Presidenti i Republikës nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri, përkundrazi ka qene Kryeministri që i ka kërkuar një takim sqarues Presidentit, pas letrës së dërguar nga ky i fundit për të shprehur refuzimin e paargumentuar te gjeneral Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm, Kryeministri Edi Rama, e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do te marre përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht”.
Reagimi i plotë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e përshëndet përpjekjen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të kërkuar “përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese, ndaj të gjitha çështjeve”, që sipas tij, Presidenti i Republikës, “nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim”, siç shprehet Presidenti përmes zëdhënësit, lidhur me dekretimin e Ministrit te Brendshëm.
Duke nënvizuar se “herën e pare”, Presidenti i Republikës nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri, përkundrazi ka qene Kryeministri që i ka kërkuar një takim sqarues Presidentit, pas letrës së dërguar nga ky i fundit për të shprehur refuzimin e paargumentuar te gjeneral Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm, Kryeministri Edi Rama, e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do te marre përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht.
Jo vetëm kaq, po në funksion te adresimit shterues të problemit, që Presidenti i Republikës nuk e ka ngritur si problem në bisedën me Kryeministrin, por e ka ngritur shkresërisht, në forme pyetësori drejtuar Ministres së Mbrojtjes, vetëm dje, Presidenti do të marrë bashkë me përgjigjet edhe një zgjidhje shteruese, e cila nuk lë me asnjë shteg për interpretime të asnjë lloji. Për asnjë palë.
Duke shprehur besimin se në këtë proces të ri, ku Kuvendi ka padiskutim fjalën e fundit pas Kryeministrit e Presidentit, Presidenti i Republikës, nuk do të ketë asnjë arsye të lëkundet në bindjen e vet për respektimin e Kushtetutës dhe do ta dekretoje Ministrin e Brendshëm, Kryeministri i Shqipërisë do të bashkëpunojë me durim e më përkushtim të plotë me Presidentin e Republikës, për ta ngjitur me sukses krisjen kushtetuese që ka sjelle e shtuna e shkuar.
/tvklan.al