Edi Rama i ka dhënë fund pikëpyetjes se cili ishte vendi mik në Bashkimin Europian që u kujdes t’i jepte Shqipërisë dozat e para të vaksinave anti-Covid për bluzat e bardha në Janar të vitit 2021. Rrëfimin e tij kreu i qeverisë e bëri gjatë një interviste të dhënë për drejtorin e Sky TG 24 në Universitetin e Bergamos, ku surprizoi me deklaratën se ishte ndihmuar për të marrë vaksina fshehurazi nga Luigi di Maio, asokohe Ministër i Jashtëm.

“E pyeta Luigin se a mund të na japësh doza të paktën për mjekët dhe infermierët? Pfizer kishte një kontratë shumë të prerë me qeveritë: Unë iu jap vaksinat, por ju nuk mund t’ia jepni ato askujt. Diçka që është gjithçka tjetër veçse e krishterë. Luigi tha se do të ishte një gjë shumë serioze. Por, ne e bëmë këtë me shërbimet tona sekrete: dy ministra që i kalonin mallrat kontrabandë njëri-tjetrit për të shpëtuar njerëzit. Më pas nuk mund t’i fshihnim vaksinat, duhej t’i administronim edhe ato. Avokatët e Pfizer kërcënonin me padi dhe donin të dinin se si i morëm ato, por ne thjesht thoshim nga një vend mik. “

Ndonëse rrëfimi i tij krijoi jo pak të qeshura në sallë, Rama u kujdes t’i tregonte mikut të tij Di Maio se tanimë ishte i lirë.

“Ne kemi mësuar nga napolitanet që asnjëherë s’e tradhtojmë mikun para policisë. Tashmë do kesh gazetat dhe gazetarët nga pas që do të të qepen e do të të thonë kontrabandist, por tanimë je njeri i lirë Luigi.”

Rama u shpreh optimist edhe për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Jemi përpjekur shumë herë, por është si të organizojmë një dasmë dhe nusja nuk vjen. Për BE-në tani jemi më të qetë sepse tashmë ka pasur zgjedhje në vende si Franca dhe Holanda, pasi një ministër para dhe pas zgjedhjeve janë dy njerëz të ndryshëm, qëndrimi është i ndryshëm”

Gjatë intervistës Kryeministri foli edhe për situatën politike në Shqipërinë e diktaturës dhe marrëdhënien e tij me vendin përtej Adriatikut.

Tv Klan