Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk e ka kuptuar mesazhin e ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, i cili, të enjten i kërkoi në mënyrë të qartë opozitës që të reflektojë gjatë dhe thellë për veprimet e saj, të cilat tashmë “de fakto” po dëmtojnë procesin drejt një sistemi demokratik modern.
Edi Rama: “Duhet t’iu korrigjoj, ju i citoni keq deklaratat e miqve të partnerëve ndërkombëtar dhe pastaj i bëni pyetjet duke u bazuar tek citimet tuaja. Kjo gjë nuk është thënë kështu siç thoni ju.”
Por ja se çfarë tha një ditë më parë ambasadori Bosch në fjalën e tij, e cila është shpërndarë edhe e përkthyer në shqip nga zyra e shtypit e OSBE-së në Tiranë.
Robert Bosch: Po shfrytëzoj rastin për ti kërkuar opozitës që të reflektojë gjatë dhe thellë për veprimet e veta,të cilat tashmë de facto po dëmtojnë procesin drejt një sistemi demokratik dhe modern.”
E kësaj deklarate Rama i është përgjigjur duke thënë se do të vazhdojnë aksionin politik që nisi pas zgjedhjeve të qershorit.
Edi Rama: “Jemi në këtë betejë më të vendosur se kurrë dhe do ta vazhdojmë këtë betejë deri në fund. Transparenca e zgjedhjeve sot kërkohet me forcë në të gjitha instancat zyrtare të komunitetit ndërkombëtar.”
Por pavarësisht keqkuptimit të mesazhit të ambasadorit, Rama u shpreh i hapur për bisedime me kryeministrin Berisha, duke iu përgjigjur kështu mesazhit të dhënë nga kreu i qeverise mbrëmë nga Brukseli në emisionin opinion.
Edi Rama: “Asnjëherë nuk kemi qenë as i forcë politike, por as unë personalisht si kryetar i partisë më të madhe në vend kundër çfarëdolloj tryeze dhe çfarëdolloj diskutimi në cilëndo instancë. Por ne ndërkohë për asnjë çast nuk e kemi ndalur dhe nuk do e ndalim betejën tonë në rrugën e protestave pa ndalim deri në rivendosjen e demokracisë.”
Kryesocialisti është fokusuar edhe këtë javë në bashkëbisedimin me gazetarët tek kriza ekonomike, duke thënë se qeveria po manipulon shifrat zyrtare për të fshehur gropën e madhe që po vjen duke u thelluar në buxhetin e shtetit./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka