Bakojanis i del kundër: Nuk ndihmon për këtë çështje
Edi Rama mendon se ndërhyrja e një palë të tretë, qoftë kjo dhe Gjykatë Ndërkombëtare, do të lehtësonte procesin e arritjes së marrëveshjes me Greqinë për hapësirën detare.
Edhe pse është optimist se me qeverinë e re ashtu si me atë paraardhëse, dialogu nuk do të mungojë, edhe pse çështje të caktuara të cilat janë kthyer dhe mund të kthehen në “patate të nxehta” në të dy vendet ku temperatura mund të ngrihet qoftë dhe nga një deklarate korrekte si ajo e Mitsotakis në Parlament.
“Sfida jonë është që ta bëjmë politikën midis dy vendeve aq të shkëlqyer sa janë marrëdhëniet midis njerëzve. Ajo që shoh është se nuk ka ndjesi negative midis njerëzve. Është krejt e kundërta. Jam besimplotë që me qeverinë e re jemi në drejtimin e duhur. Dhe kemi gjithçka nevojitet për të zgjidhur këtë por edhe gjëra të mbetura, që të mos përdoren nga forcat e errëta si arsye për të ndezuar situatën. Kam një ide shumë të thjeshtë që e kam paraqitur më parë. Sa më shpejt të arrijmë dakordësi kur bëhet fjalë për zonat detare, ne të mund të zgjidhimi çështjen me ndihmën e të tjerëve, nëpërmjet një pale të tretë që na ndihmon miqësisht apo Gjykatës Ndërkombëtare. Kjo do të jetë e drejtë, objektive dhe nuk mund të përdoret nga patriotët”.
Por në krah të tij, në fomumin e iniciuar nga ‘The Economist’ në Athinë, ish-kryediplomatja Dora Bakojanis që firmosi marrëveshjen e 2009, e kundërshtoi Kryeministrin Rama dhe artikuloi të njëjtën tezë që qarkullon dhe në Tiranë: ndërhyrja e Turqisë ka qenë vendimtare për rrezimin nga Gjykata jonë Kushtetuese e asaj marrëveshje.
“Unë kam qenë që e kam nënshkruar këtë marrëveshje. U mërzita kur dëgjova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Na duhet të përpiqemi më fortë të gjejmë një marrëveshje me Shqipërinë dhe është e rëndësishme për të dyja vendet tona. Për të qenë e ndershme, ndërhyrja e vendeve të treta në këto lloj çështjesh nuk ndihmon. Ne e dimë që Turqia ka qenë kundër kësaj marrëveshje”.
Por Rama nuk ka lënë asnjë hapësirë për një mundësi të tillë duke kundërshtuar Bakojanisin.
“Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë vendim për këtë marrëveshje në vitin 2009. Asokoshe, unë nuk e kisha takuar Presidentin Erdogan. Nuk kishim asnjë raport sepse ne ishim partia kryesore e opozitës dhe vendosëm që marrëveshjen ta çonim në gjykatë për një arsye të thjeshtë. Kishte debat të madh në shoqëri që u nis nga disa persona të shoqërisë civile dhe nuk doja që ky debat të bëhej politik. Asnjëherë në asnjë takim me Presindentin Erdogan nuk kam dëgjuar prej tij që kjo çështje është e ndonjë interesi për Turqinë. Kjo është e vërteta. Na duhet t’i largojmë këto lloj idesh”.
Rama dhe Bakojanisi ndan mendime të ndryshme dhe pozicionin e Turqisë në përplasjen e fundit me Greqinë. Per Bakojanisin, Erdogan duhet të heqë dorë nga kërcënimet për luftë, ndërsa Rama foli me siguri se ai nuk është një politikan anti-grek.
Tv Klan