Në seancën e përbashkët parlamentare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha para deputetëve të dy vendeve se Kosova duhet ta ngrijë pa afat dialogun bilateral me Serbinë.

Sipas Ramës, Prishtina zyrtare duhet ta synojë normalizimin e marrëdhënieve duke shkëputur reciprocitetin nacionalist me Serbinë dhe të vazhdojë dialogun me Bashkimin Europian për t’i treguar që Kosova ka vullnetin për të qenë pjesë e familjes euro-atlantike.

“Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim tanimë të konsoliduar në këtë rrugëtim ku ç’nuk kam parë dhe shumë kam mësuar nga marrëdhëniet me miqtë dhe me aleatët e me jodashamirësit tanë, se në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit europian dhe euroatlantik, Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior, duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Europian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në.

E thënë ndryshe, Kosova mund t’i japë Familjes Europiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, në një kohë shumë të shkurtër, provën e padiskutueshme të vullnetit e të përkatësisë së vet në gjirin e Europës së Bashkuar e të NATO-s, duke i përmbushur, unilateralisht, të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë; jo për hir të Serbisë, po për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve europiane me kryeqytet të përbashkët Brukselin.

Nuk ka asnjë arsye që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të përpiqen të bindin Kosovën, për qenien e saj organikisht të lidhur me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, ashtu sikundër nuk ka asnjë arsye që Kosova të presë se çdo bëjë Serbia, për të bërë ajo hapat e saj drejt BE-së dhe NATO-s. Kosova e uli në gjunjë Serbinë 25 vjet më parë dhe 25 vjet më vonë duhet ta lerë në bisht Serbinë.

E them këtë për t’i dhënë Kosovës kurrsesi jo një leksion, po një opinion vëllazëror dhe konstruktiv për mënyrën sesi mësimet e integrimit të njërit vend mund t’i vlejnë edhe vendit tjetër, që të mos kemi pësime historike kur sot fatin tonë të përbashkët kombëtar e kemi të gjithin në duart tona dhe krahët I kemi të shtrira nga Mitrovica në Konispol“, tha Rama./tvklan.al