Kryetari Edi Rama e nisi me tone kritike takimin me socialistët e Kavajës në kuadër të antarësimeve të reja në parti
“Kavaja është një shembull se si mosmbajtja e ritmit të ndryshimit, se si mbyllja e partisë me idenë që fitorja i takon disave dhe nuk i takon të gjithëve, se si mungesa e vetëdijes për nevojën e një vetëreflektimi të vazhdueshëm prodhon faturën e humbjes. Kavaja është një shembull shumë kuptimplotë për faktin që Partia Socialiste i ka vetë në dorë edhe rezultatin pozitiv, edhe rezultatin negativ, edhe fitoren edhe humbjen.”
Rama pati një mesazh edhe për socialistët që kanë shumicën në këshillin bashkiak të Kavajës.
“Më thanë që ishte bllokuar buxheti i Bashkisë. Ne mund të kemi numrat për të bllokuar buxhetin e bashkisë, por ne nuk mund të jemi bllokuesit e buxhetit të bashkisë. Këshilltarët e bashkisë janë aty për t’i shërbyer komunitetit, nuk janë aty për t’i bërë karshillëk ultrasëve të anës tjetër. Kemi bërë edhe ne shumë gjëra që po të ktheheshim mbrapa, jam i bindur që nuk do t’i përsërisnim sepse kemi mësuar shumë gjëra ndërkohë.”
Rama tha se opozita e sotme është qorre e shurdhe.
“Ashtu sikundër ne e shikojmë se sa rezultat jep kur ti bën një opozitë qorre, shurdhe dhe ku trurin e le në frigorifer kur del nga shtëpia dhe në vend të trurit përdor krahët, përdor këmbët, përdor kokën sikur të ishte një tenxhere bosh me të cilën i bie murit.”
“Insistimi i kryeministrit për tu siguruar që arritjet tona janë të pathyeshme dhe të pakthyeshme në fakt vlen më shumë se për çdo vend tjetër, por sidomos për këto zona, Kavajë e Rrogozhinë.”
PS e humbi bashkinë e Kavajës në zgjedhjet e 14 Majit të vitit të kaluar ku u shpall fitues kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fisnik Qosja që arriti të lë pas me vota kandidatin socialist Redjan Krali.
Klan News