Mbyllja e të gjitha lojërave të fatit, që do të fillojë nga 1 Janari i vitit 2019, do të bëjë që në ekonomi të mungojnë rreth 700 milionë Euro. Kjo është shuma që industria e basteve dhe e lojërave të fatit qarkullon mesatarisht në një vit.
Këtë fakt e ka bërë të ditur vetë Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorë të Laprakës në Tiranë. Edhe pse ekonomisë shqiptare i ikën një pjesë e madhe parash nga mbyllja e lojërave të fatit, Rama tha se ato do të mbeten brenda familjeve shqiptare.
Duke folur për këtë çështje, Kryeministri u shpreh se bixhozi në vendin tonë financohet nga krimi i organizuar për të pastruar paratë. Sipas kreut të ekzekutivit, këto para më pas përdoren për të financuar parti politike dhe media.
“Aktiviteti i bixhozit në Shqipëri financohet nga krimi i organizuar. Janë para që pastrohen përmes aktivitetit të kumarit dhe janë eksponentë të krimit të organizuar që fshihen ose janë drejtpërdrejt të përshirë. Në pjesën e tyre më të madhe, nuk mund të them që janë të gjithë. Është një fakt me të cilin ne kemi të bëjmë drejtpërdrejt dhe kjo është një industri që xhiron në vit një mesatare prej 700 milionë Eurosh. Nga kalkulimet e bëra, kjo është mesatarja që xhirohet në vit.
Imagjinoni kjo shumë parash që humbet pa asnjë lloj dobie, pa asnjë lloj produkti ose që i shkon në xhep krimit të organizuar, të kalojë në konsumin familjar. Pra mos dali kjo para nga shtëpia për të ikur për t’u tretur te bastet, por të mbetet në arkën e familjes për konsum familjar. Natyrisht që ka një shqetësim normal për ata që janë të punësuar në këtë aktivitet. Dëmi kolosal që shkaktohet nga ky aktivtet është i tillë që na detyron të merremi me dëmin kolosal që i shkaktohet shoqërisë dhe vendit deri në kërcënim të sigurisë kombëtare.
Janë para që shkojnë në shumë drejtime. Janë para që financojnë media, parti politike dhe patjetër që ky konsum që do të përfitojë këtë shumë parash do të kërkojë dhe hapjen e të tjera bizneseve dhe ata që kanë këto lokale do duhet të ndryshojnë modelin e tyre të fitimit”
, u shpreh Kryeministri Edi Rama. /
tvklan.al