“Figura të dyshimta të së shkuarës kërkojnë të rikthehen në skenë”
Emergjenca shëndetësore, ndryshimi i klimës, fuqia e dezinformimit që ushqehet nga zhvillimi i teknologjive të reja, për kreun e qeverisë Edi Rama janë sfida të cilat kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha vendeve, të mëdha dhe të vogla. Në takimin tradicional të fundvitit me Trupin Diplomatik të mbajtur në Elbasan, ai theksoi se kriza e pandemisë që mbërtheu gjithë globin është një tregues i qartë se askush përballë këtyre sfidave nuk mund të luftojë i vetëm.
“Jemi të gjithë rishtarë përballë këtyre sfidave, jemi të gjithë të njëjtë përballë tyre dhe duhet të mësojmë nga sukseset e nga dështimet e njëri-tjetrit. Një plagë e hapur në cepin më të humbur të planetit, mund të jetë një goditje e mundshme fatale mu në zemër të tij”.
E për të patur sukses në këtë betejë, kreu i qeverisë tha se është thelbësore që vendet e mëdha të praktikojnë një këndvështrim më të gjerë.
“Kur vjen puna tek ballafaqimi me sfidat globale, ne jemi frikshëm shumë të vegjël që të gjithë. Por është thelbësore që vendet e mëdha të mos zvogëlohen në zemrën e tyre, të mos bëhen më të vegjël në mendjet e tyre dhe në qasjen e tyre ndaj vendeve të tjera, në aftësinë për të toleruar dallimet, në burimet që iu duhen për t’ia dalë përballjes me të paparashikueshmen”.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek çështja e integrimit, ndërsa ripërsëriti se ndërsa Shqipëria është në luftë me kohën, faktorë që nuk lidhen me të kanë penguar hapjen e negociatave.
“Kemi bërë gjithçka duhej, sërish e sërish, për të na dhënë dritën jeshile për hapin tjetër dhe sërish e sërish, na kanë penguar forca që janë përtej kontrollit tonë. Ky është një fakt jetësor”.
Sa i përket Reformës në Drejtësi ai kujtoi edhe një herë se pavarësisht vështirësive ajo ka nisur të jap rezultatet e saja.
“U premtuam njerëzve se sistemi i ri i drejtësisë që sjell drejtësi për të gjithë, më në fund po vjen dhe unë ende e besoj fort që është kështu. Por duhet kohë, duhet durim, shumë më tepër se sa i ka mbetur këtij kombi, ndërkohë që figurat më të dyshimta të së shkuarës, gjejnë ende guximin të bëjnë kërcënime groteske me sfurqe apo rikthime në skenë, në emër të sovranitetit, dinjitetit, pastërtisë”.
Gjatë fjalës së tij Rama foli edhe për fitoren e zgjedhjeve të treta parlamentare resht, duke theksuar se ndjehet i përulur përballë shqiptarëve për besimin që i dhanë.
“Një mandat i tretë krejt i pashembullt për të udhëhequr vendin është një nder e privilegj, të cilin jam shqiptari i parë që e kam. Për mua kjo është diçka kaq e rëndësishme e kaq detyruese ndaj njerëzve të këtij vendi, saqë nuk i gjej dot fjalët për ta shprehur dhe jam i vendosur të jap gjithçka nga vetja, për ta shpërblyer këtë aq sa kjo të jetë e mundshme për një njeri”.
Me urimin që 2022 të jetë për shqiptarët viti i dëgjimit të njëri- tjetrit, ai bëri ditur se në ditët që vijnë do të prezantohet edhe një nismë të re, e cila synon të hap një faqe të re ndërveprimi midis qeverisë dhe qytetarëve.
Tv Klan