Kryeministri Edi Rama ka mbledhur për herë të parë për këtë vit Kryesinë e PS-së. Kanë qenë fillimisht anëtarët e Kryesisë që kanë mbërritur në selinë rozë, ndërsa në fund atyre iu është bashkuar edhe kryesocialisti Edi Rama.

Gazetarja Klesiana Omeri raportoi se pritet që mes tyre të ketë diskutime mbi qëndrimet që ligjvënësit socialistë do të mbajnë në Kuvendin e Shqipërisë duke qenë se javën e ardhshme do të nisë edhe sesioni i ri parlamentar.

Po ashtu do të flitet mbi qëndrimin që do të kenë socialistët sa i përket Partisë Demokratike, në kushtet kur atje ka përplasjet më të forta.

“Në këto kushte socialistët duhet që të mbajnë qëndrime të caktuara në raport me opozitën, por edhe në Kuvendin e Shqipërisë, duke qenë se jeta parlamentare do të rinisë pas më shumë se 2 javësh pushim dhe pritet të ketë çështje të tjera të rëndësishme që duhet të marrin miratimin e ligjvënësve”, raportoi gazetarja.

Një prej tyre është zgjatja e afateve të Vettingut. Socialistëve u duhet vota e PD dhe partive të tjera opozitare. Deri më tani nuk ka asnjë lloj marrëveshje për këtë propozim që kërkon ndërhyrje në Kushtetutë.

Por PS duhet që të mbajë qëndrim edhe mbi ndryshimet kushtetuese që ka kërkuar PD-ja për Vettingun në politikë. Për këtë socialistët nuk shprehen shumë optimistë, madje e kanë kundërshtuar, megjithatë pritet të shihet se çfarë lëvizjesh do të ndërmerren në të ardhmen.

Ky takim i sotëm i Ramës vjen pas atij që u zhvillua një ditë më parë me drejtuesit politik të qarqeve./tvklan.al