Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vizituan një fermë lopësh në Divjakë, ku falë punës dhe mbështetjes nga AZHBR, kanë ngritur një industri me 1,700 krerë lopë duke prodhuar 19 ton qumësht në ditë.
Rama foli dhe për ndryshimet në skëmën e subvencionimit në bujqësi.
“Ti japim më prioritet numrit të krerëve që të stimulojmë bashkimin. Risia tjetër është gjithë ajo linja e financimit të Bankës së Shqipërisë, 250 milionë Euro”, u shpreh Edi Rama.
Nga ana tjetër kryeministri tha se bujqësia dhe blegtoria janë sektorët që do përfitojnë më shumë kur vendi të anëtarësohet në BE.
“Duhet të bëjmë patjetër kapërcimin që të hyjmë në bashkimin e europine, sepse direkt na vinë 300 milionë Euro në vit për bujqësinë, vetëm për bujqësinë”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri Rama inspektoi dhe punimet në rrugën Gur – Remas në Divjakë, ku tha se vëmendja e qeverisë është në zonat rurale.
“S’është vetëm Divjaka, janë shumë e më shumë zona ku ka pasur zhvillim të infrastrukturës rurale, gjithmonë jo elektorale, por strategjike. Sot janë 43 zona urbane dhe 90 rurale dhe janë 11 kantiere të hapura, dhe janë një sërë kantieresh tjera që fillojnë dhe mbyllet përfundimisht një plagë e vjetër sa shtetit shqiptar”, tha Rama.
Deri më tani janë realizuar afro 35% e punimeve të këtij segmenti rrugor që do t’u shërbejë banorëve të fshatit.
Klan News