Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Speciale, si një ulje të re nga një gjykatë, e cila e ka kthyer sipas tij drejtësinë ndërkombëtare në një farsë.

“Një ulje e re nga një gjykatë turpëruese dhe e paturpshme, e cila e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe, dhe vullnetin e Parlamentit të Kosovës në një boomerang të dhunshëm”, shkroi Rama.

Kujtojmë se edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) e ka quajtur refuzimin e Gjykatës Speciale për të mos e lejuar Thaçin t’i japë lamtumirën e fundit babait të tij, si një veprim i padrejtë dhe çnjerëzor, i cili bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë./tvklan.al