Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë pasditen e sotme në ekspozitën e piktorit Naxhi Bakallit. Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, Kryeministri Rama ka vlerësuar piktorin Bakalli teksa ka thënë se kur kujton periudhën kur ishte student, bëhet i vogël para tij. Më tej, Rama ka theksuar se kjo ekspozitë është një shfaqje e bukur linjash dhe ngjyrash.

Edi Rama: Unë e mbaj mend profesorin si një personazh hijerëndë, i heshtur, mbrapa kornizës së xhamit të derës së ateliesë së tij në Liceun Artistik, ku për shkak të gjatësisë, unë shikoja përtej xhamave të dyerve dhe gjithmonë i ulur tek tavolina e mësuesit që vizatonte.

Gjithmonë më kujtohet ajo kohë dhe ajo korniza e xhamit dhe më duket se kthehem në kohë dhe bëhem i vogël para tij. Sa herë shoh filma me momente që lidhen me punën e murgjve, gjithmonë më kujtohet profesori dhe nëse ju e keni parë filmin “Emri i trëndafilit”, aty ka shumë imazhe të murgjve të përkulur mbi letrat e kohës, shkruajnë dhe pikturojnë.

Ka edhe një moment të tretë që lidh të dyja gjërat bashkë, që lidh njeriun me dedikimin ndaj veprës që do ta gjeni nga fundi i korridorit, ku është një burrë dhe një grua në krevat. Kartolina romantike e dashurisë së paepur të burrit për zonjën dhe sot është hera e parë ku unë e takoj profesorin dhe zonja nuk ishte në perimetrin e 1 metër rreth tij dhe u trondita dhe i thashë: Ku është dashnia?

Ka një romantizëm në figurën e Naxhi Bakallit që e bën atë një personazh dhe një njeri jashtëzakonisht të veçantë. Qofsh i dashuruar dhe në shumë vitet që do të kesh para dhe paç këtë dritë të brendshme dhe këtë pasion që të mban të përkulur para pikturës. Është një shfaqje e bukur linjash dhe ngjyrash. Ju uroj të gjithëve që pas kësaj shfaqje të ndjeheni dhe më mirë për meritë të Haxhi Bakallit dhe për të atyre që profesori e bëri me shumë xhentilesë.

/tvklan.al