I ftuari i radhës në podcastin e të shtunës së Kryeministrit Edi Rama ishte britaniku Karl Roberts, ish-menaxher i TAP në Shqipëri, që tashmë jetën e tij e ndan mes Britanisë dhe vendit tonë. Në rrëfimin e tij pohon se mes vendlindjes dhe ShqipËrisë, është kjo e fundit ajo ku ka më shumë siguri.

Edi Rama: Por ajo që më bën përshtypje është se të gjithë të huajt janë të lumtur për sigurinë. Kur ua them njerëzve më thonë. Çfarë po thua siguri në Shqipëri e nuk ka në Londër, Berlin, Paris?

Karl Roberts: Absolutisht. Ndihem i sigurt në Tiranë, sesa do të ndihesha po të ecja në Londër e Manchester, sidomos mbrëmjeve.

Turizmi nuk mbetet jashtë fokusit të bashkëbisedimit. Karl Roberts, pohon se britanikët janë të marrosur pas Shqipërisë, ndërsa për kryeministrin ky sukses përkthehet në sfida të reja.

Karl Roberts: Unë shoh mundësi! Turizmi është një prej tyre. Industria e turizmit, për shembull, në Britaninë e Madhe është marrosur nga Shqipëria. Nga raportet që lexoj, po rriten më shumë fluturimet.

Edi Rama: Duhet të bësh gjithçka që të ruash ekuilibrin midis gjithë larmisë së natyrës që është një motiv i fortë dhe nevojës për të pasur më shumë kapacitete. Po ashtu, midis turizmit masiv dhe atij luksoz. Ka një mori sfidash, por, gjithsesi, jemi në hartë.

Një tjetër temë diskutimi ishin kostot e jetës mes Britanisë dhe Shqipërisë, ku për kryeministrin vendimet e shqiptarëve për të lënë Shqipërinë duhet të peshohen më gjatë pasi askund nuk është aq e lehtë sa duket.

Edi Rama: Është ende si lavjerrëse drejt ‘ikjes’. Sepse në xhep ke një telefon që shikon imazhet e bukura të Gjermanisë, Britanisë, aktorëve, makinave dhe thua po dua të iki. Por nuk është aq e lehtë sepse ka më shumë fotoshop sesa realiteti i një shqiptari që shkon atje. Duhet të bësh dy punë, përndryshe nuk ia del dot. Sigurisht që në disa aspekte është mirë për fëmijët, por nuk është kaq e mirë edhe fëmijët. Koha e lirë për të shpenzuar me familjen është zero. Pra duhet vendosur në peshore, por megjithatë unë i kuptoj njerëzit që duan të sfidojnë veten, duke u përpjekur aty ku mendojnë se mundësitë janë më të mëdha. Kjo është normale.

Me 40 vite karrierë, të shtrirë në disa vende në Azi, Australi, Karl Roberts, zbuloi se ka blerë një shtëpi në Tiranë, ku kalon pjesën më të madhe të kohës.

Tv Klan