Nga samiti global “Java e Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025”, kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe për mbështetjen ndaj vendit tonë, në sektorin energjetik.

“Më lini të shpreh mirënjohjen më të thellë për Lartësinë e tij Mohammed bin Zayed Al Nahyan për mbështetjen e vazhdueshme dhe kujdesin e veçantë dhe frymëzimin që ka qenë për mua e për ne në këtë rrugë përpara, ku sëbashku dhe falë Emirateve dhe dijes së shkëlqyer që ka ne po diversifikojmë dhe transformojmë sektorin energjetik shqiptar”, deklaroi Rama nga Abu Dhabi.


Më tej, ai theksoi se Shqipëria po prodhon energji elektrike me 100% burime të ripërtëritshme, duke shtuar se sa vjen e forcohet ‘pozicioni’ i vendit tonë në këtë fushë. Teksa informoi se do të nënshkruhet marrëveshja për kabllot nënujore me Italinë e Emiratet e Bashkuara, nuk la pa falenderuar homologen e tij Giorgia Meloni.

“Shumë shpejt do të nënshkruajmë një marrëveshje strategjike me Italinë dhe Emiratet për kabllot nënujore që është përmendur si një instrument shumë i rëndësishëm jo vetëm për transmetimin e energjisë së përtëritshme nga Shqipëria në Itali, por për të rritur kapacitetin e vendit tonë si faktor kyç në rajon. Partneriteti i vendit tonë me Emiratet e Bashkuara Arabe në sektorin e energjisë është tejet i rëndësishëm ku shumë keqkuptime në rajon i kanë dhënë formë të shkuarës, e ku dëshira e përbashkët për të qenë pjesë e familjes europiane duhet mbështetur me hapa konkretë. Bashkëpunimi synon të zhvillojë deri në 3 Gigavat prodhim të energjisë së përtëritshme. Dua të shpreh mirënjohje edhe ndaj një personi tjetër, që sa u fut në sallë e duartrokitët, kryeministren e Italisë Giorgia Meloni e cila ka ardhur për të bekuar këtë marrëveshje të rëndësishme”, tha Rama.

/tvklan.al