“Do të shihni gjëra interesante te opozita”
Ndonëse nuk komentoi vendimin e gjykatës që dënoi me tre vite e katër muaj burg ish-ministrin e tij të brendshëm, Saimir Tahiri, Kryeministri Edi Rama pranoi të flasë për Reformën në Drejtësi, tek e cila ka besuar që në krye të herës se do të jepte frytet e saj në luftën pa kompromis kundër krimit e korrupsionit.
“Unë nuk komentoj vendimet e gjykatave, unë e kam ditur mirë çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësisë dhe 100 herë të kthehesha mbrapsht prapë të njëjtën gjë do bëja. Nuk do doja të shfokusoheshim nga çështja e Ukrainës”, tha Rama.
Kryeministri u pyet në konferencën për shtyp edhe për situatën politike që po kalon opozita, ku përveç ironisë, parashikoi edhe zhvillime të tjera.
“Unë nuk shoh filxhan, por nuk ka nevojë të shohësh filxhan për ta paraparë para se të ndodhte këtë. S’kemi parë gjë akoma në këtë aspekt, mos u çudisni, por jini të përgatitur se do të shihni shumë gjera interesante se kaq në frontin e “Shtëpisë së Lirijes”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi të premten koalicionin “Shtëpia e Lirisë” si pjesëmarrës në zgjedhjet e 6 Marsit, i cili do të përfaqësohet me kandidatët e “Komisionit te Rithemelimit” në të 6 bashkitë.
Tv Klan