Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në ceremoninë e dhënies së “Medaljes së Artë” për nxënësit ekselentë. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ju ka thënë nxënësve se ata janë heronj. Më tej, Rama ka shtuar se ky është i vetmi moment gjatë punës së tij gjatë vitit që i duket vetja më i shkurtër se ata që ka përballë.
Edi Rama: Ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë, t’i sfidoni të gjitha vështirësitë me të cilat jeni ndeshur jo për fajin tuaj dhe sot jeni këtu si shëmbëlltyra e suksesit të gjatë. Nuk është 1 provim, as 2 dhe as 3, por një jetë e tërë në shkollë duke ngjitur të përpjetën pavarësisht pengave që ju ka bërë që sot këtu të jeni në majë dhe për këtë arsye, ju jeni heronj për mua dhe për këtë arsye, ma besoni këtë gjë, ky i dhënies së medaljeve të arta, është i vetmi moment gjatë gjithë punës time, ku mua më duket vetja më i shkurtër se ata që kam përballë. Besojeni këtë gjë dhe besoni që ju kam zili sepse e gjithë bota është përpara jush që ju ta zotëroni. Keni të gjithë kohën e nevojshme përpara dhe ndryshe nga unë në moshën tuaj, keni gjithçka në dispozicion nëse doni që dija juaj të jetë sa bota.
Kryeministri Rama ka falenderuar të gjithë nxënësit ekselentë, të cilëve ju ka thënë se janë një burim frymëzimi për të.
Edi Rama: Mos e harroni kurrë që një ëndërr që e shikon me sy hapur, ti mund ta arrish, por mes teje dhe asaj ëndrre është një det që ti duhet të jesh i gatshëm që ta kalosh në këmbë pa u zbrapsur nga dallgët, pa u dorëzuar kur furtunat i ngrenë dallgët aq lart sa gati të mbysin dhe nëse je i gatshëm t’i bësh të gjitha ata sakrifica që ajo ëndërr kërkon, ti do ta arrish, kjo është e sigurtë dhe kjo është jeta e shumë yjeve që ju sot i shihni dhe i admironi në të gjitha fushat. Asnjë nuk ka shkëlqyer sepse thjesht fati e ka dashur që të shkëlqejnë. Ju falenderoj me gjithë zemër sepse më frymëzoni. Ju jeni këtu në majë të një arritje të parë të historisë suaj për të marrë medaljen e artë pasi keni refuzuar çdolloj justifikimi, unë them me vete, përderisa ju ja keni dalë, edhe unë mund të ja dal.
/tvklan.al