Kryeministri Edi Rama ka kritikuar Partinë Demokratike dhe opozitën që u largua nga salla e parlamentit duke mos votuar rezolutën për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se kjo rezolutë e votuar vetëm nga mazhoranca, është e njëanshme. Ky fakt, u shpreh Kryeministri, do të përdoret si argument nga ndërkombëtarët që janë kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë.

“Sot është e para herë në historinë e parlamentarizmit demokratik shqiptar që një parti politike braktis sallën kur bëhet fjalë për një rezolutë me interes kombëtar të kësaj natyre. Ja sot kur jemi në metrat e fundit të një rruge shumë të gjatë për të votuar një rezolutë që nuk është e njëanshme, ndodh ajo që s’ka ndodhur kurrë. PD bën atë që s’e ka bërë kurrë as vetë ajo kur ka qenë në opozitë.

Ikin nga salla, refuzojnë të votojnë një rezolutë që nuk është akt i të folurit me vete, por është një akt vullneti i parlamentit për t’u bërë me dije të gjithë vendeve anëtare të BE se Parlamenti i Shqipërisë në unanimitet kërkon çeljen e negociatave. Duke u votuar vetëm nga ne, kthehet në një tjetër problem, sepse është e njëanshme. Një rezolutë e bërë vetëm nga shumica qeverisëse. Natyrisht që në Berlin, Paris apo Hagë, këta lloj individësh nuk lënë argument pa shfrytëzuar”,

tha Rama.

Kryeministri u kthye pas në kohë kur Partia Socialiste ishte në opozitë e kishte bojkotuar Parlamentin në kohën kur Shqipëria priste rekomandimin për vizat dhe anëtarësimin në NATO.

“Kujtoj se asokohe grupi parlamentar i PS erdhi në Kuvend, kontribuoi në hartimin e asaj rezolute dhe votoi në unanimitet me, PD në atë kohë në qeveri. Kujtoj po ashtu se ndërkohë që Shqipëria priste të merrte ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, ndodhi katastrofa e Gërdecit me pasojë vdekjen e 26 njerëzve të pafajshëm, shkatërrimin e pronës dhe çative të një fshati të tërë, plagosjen e shumë burrave, grave dhe fëmijëve. Në atë kohë ne u kritikuam, unë personalisht, pikërisht sepse nuk e kthyem atë moment tragjik në një mjet politik”,

deklaroi Kryeministri Edi Rama në Parlament.

/tvklan.al