“Emision i shpifur”. Kështu e quan kryeministri Edi Rama materialin e transmetuar në “Rai 3” mbi marrëveshjen për emigrantët, teksa në një intervistë për gazetën “Corriere della Sera” shpjegon se nuk ka ndryshuar ide. Sqaron se nuk ka protestuar në televizionin publik italian Rai, por ka kërkuar të ndërhyjë në emisionin “Report” për të replikuar mbi akuzat e ngritura aty.
“Fatkeqësisht nuk mund ta fshij këtë fjalë. As Inteligjenca Artificiale nuk mund të gjejë ndonjë fjalë tjetër që e përshkruan më mirë atë transmetim. Megjithatë dua të sqaroj që unë nuk kam protestuar në Rai”
Pranon se i ka telefonuar drejtorit Corsini për ta informuar për këtë ngjarje të rëndë dhe duke u kthyer përgjigje akuzave të opozitës në Itali për presion ndaj një televizioni shtetëror të një vendi tjetër, këmbëngul se gjithçka e ka bërë për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë.
“Përpara se të kapen me natyrën e ndërhyrjes sime dhe të ulërasin për skandal, miqtë e mi të dashur të opozitës në Itali duhet të interesohen për shkaqet dhe të kuptojnë se dinjteti dhe transaprenca janë të rëndësishme, si kur flasim për shërbimin publik italian, ashtu edhe kur flasim për institucionet publike shqiptare dhe personat që i përfaqësojnë ato. Unë nuk kam as mjete dhe as qëllim të imponoj diçka në punët e brendshme të vendit tuaj. Megjithatë, unë kam për detyrë të mbroj vendin tim nga stereotipi i tmerrshëm i një epoke tjetër, të krijuar nga mediat në Itali për Shqipërinë dhe shqiptarët.”
Kryeministri shpjegon në intervistën për “Corriere” se nuk ka kërkuar dëmshpërblim ndaj drejtuesit të emisionit “Report”, Sigfrido Ranucci, por vetëm të ballafaqohet me të në emision.
“Nuk kam kërkuar asnjë dëmshpërblim. Të enjten kam shkëmbyer një mesazh miqësor me drejtuesin Ranucci, pasi kam publikuar në X reagimin tim për fjalimin e tij në një televizion shqiptar. Ndoshta më në fund do të arrij të parashtroj arsyet tona në programin e tij, pa u censuruar”.
Kryeministri Rama iu përgjigj edhe pyetjeve nëse ishte Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, njeriu kyç në marrëveshjen për emigrantët dhe nëse punimet për ndërtimin e qendrave të pritjes ishin prapa planit.
“Ka pasur një furi joracionale ndaj Agaçit. Përtej dëmit, edhe tallja. Pasi censuruan pyetjen e kryqëzuar të kërkuar nga programi nga Sekretari i Përgjithshëm dhe të pranuar prej tij, pasi ai u përgjigj me e-mail, ata vazhduan ta akuzonin se nuk kishte pranuar të përgjigjej. Ishte një kafshatë shumë e madhe për t’u gëlltitur në heshtje. Çfarë kanë të bëjnë me ne të gjitha polemikat në shtëpinë tuaj për flukset, kostot, kontratat e kështu me radhë? Asgjë. Dhe çfarë lidhje ka fakti që Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë Shqiptare ishte avokat penal në Itali më shumë se dhjetë vjet më parë me paktin për emigrantët? Dhe për çfarë arsyeje të pakuptueshme duheshin thënë gënjeshtra dhe shpifje të eksportuara nga Shqipëria në Itali, për t’u hedhur si gurë shtrigave në sytë e audiencës së Report?”.
Kryeministri Rama tha se nuk i kishte telefonuar kryeministres italiane Meloni, duke shpjeguar edhe arsyet.
“Nuk kam folur me Giorgia Melonin, sepse e imja është një betejë për të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kryeministri juaj nuk ka asnjë lidhje me të, edhe pse vendi im u tërhoq në valle si një objektiv kolateral i sulmit kundër qeverisë së saj.”
Rama ka sqaruar edhe në disa intervista të tjera për mediat italiane se i gjithë reagimi i tij ndaj emisionit “Report” në “Rai 3” ka të bëjë vetëm me interesin për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë.
Tv Klan