Edi Rama mbylljen e grevës së naftëtarëve të Ballshit përpara se të ulet në tryezën e negociatave me ta e kërkon për të respektuar një parim shtetëror siç pohon në parlament.
Për me presione me qeverinë e tij nuk fiton askush ndaj përsërit apelin për të dalë nga greva e për të diskutuar opsionet që qeveria mund të ketë për të zgjidhur një situate ku përgjegjësia siç thekson është vetëm e kompanisë private dhe jo e shtetit.
“Kjo qeveri në mënyrë të veçantë nuk bashkëbisedon nën presion sepse nuk mund t’i lejojmë vetes që këtu të krijohet precedenti që e i pakënaqur me sipërmarrësin, ti futesh në grevë edhe merr ato që ti kërkon pa pranuar as të gjesh arsyen e tjetrit”.
Kryeministri ka debatuar për këtë çështje dhe me deputeten Rudina Hajdari e cila e akuzon Ramën se ka dhe ai mëkatet e vetë në krijimin e situatës në atë rafineri.
“Ftoj SPAK-un që ta hetojë këtë aferë që ka filluar që nga Berisha me Rezart Taçin e duke vazhduar me ju dhe me besnikët e tu”, tha Hajdari.
“Para dy ditësh po ju them që kemi vazhduar kontaktet për të mundur të sjellim një sipërmarrje serioze dhe pastaj është çështje mes tyre dhe bankës zonja Hajdari”, tha Rama.
Detyrimet e pagave që kërkojnë naftëtarët datojnë në periudhën 1 gusht 2015 deri më 1 shtator 2016. Gjatë kësaj periudhe uzina nuk ka punuar, por detyrimet burojnë në bazë të kontratës kolektive të punëtorëve, të cilët paraqiteshin, por shfrytëzuesit nuk e vinin në punë rafinerinë. Në këto vite uzina e Ballshit ishte marrë me qira nga Deveron Oil, një kompani offshore me pronarë të fshehtë, ndërsa ajo e Fierit nga TP&D, me administrator Pajtim Braçaj, individ i lidhur me pronarët e kompleksit Taivan.
Kontrata me të dy shoqëritë ishte që ARMO do të jepte rafinerinë dhe do të paguante fuqinë punëtore, ndërsa kompanitë do të paguanin qiranë dhe do të merrnin lëndën e përpunuar. Në total pagat e prapambetura kapin vlerën në 8 milionë euro.
Tv Klan