Pas debateve në Parlament e protestës së opozitës jashtë tij, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në “X”, ai shtron pyetjen retorike se cilët janë autorët e rikthimit të shpejtë në identitet të opozitës.

Biznesmeni italian Francesco Becceti, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj…Këta e emra të tjerë nënkuptohen në fjalitë që kreu i qeverisë ka shkruar, duke iu bërë thirrje shqiptarëve që në zgjedhjet e 2025-ës “t’i shkatërrojnë me votë”.

Postimi i plotë i Ramës:

Cilët ishin autorët e rikthimit kaq të shpejtë në identitet të opozitës sot në parlament? Një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare; Një ish-zv.kryeministër i arratisur për t’i ikur drejtësisë; Një ish-kryeministër në arrest shtëpie me vendim të drejtësisë; Një ish-prokuror i përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për mosjustifikim pasurie; Një program në RAI3 që i shfaqi të lartpërmendurit si heronj pozitivë të një bashkëprodhimi italo-shqiptar, me baltë të eksportuar në Itali nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës. Vesi del me shpirtin, por shpirtit të së keqes që po del me të çjerra nga jeta e këtij vendi pasi e persekutoi këtë vend qysh prej vitit 1912, kjo lojë balte e rradhës me emrin e Shqipërisë i duhet futur në llogaritë që do të bëhen në zgjedhjet e afërta. Mos i falni më, duhen shkatërruar përfundimisht me votë! Shqipëria ka kry punë me ta dhe nuk ndalet dot më nga askush./tvklan.al