Kryeministri Edi Rama foli për tradhti nga ana e Lulzim Bashës këtë të martë gjatë konferencës së përjavshme që zhvillon me gazetarët. Ai tha se së bashku me kryetarin e opozitës Lulzim Basha kishin një projekt të përbashkët për të “çuar për skrap LSI-në”. Megjithatë ky pakt mes të dyve është tradhtuar nga kryetari i PD-së, që sipas Ramës ka zgjedhur të bëhet aksioner në “SHPK-në e 4 ortakëve”. Por kreu i qeverisë shtoi ndër të tjera se personalisht i qëndron projektit për të “çmontuar komplet” LSI-në.

“Çuarja për skrap e LSI praktikisht ishte projekt i përbashkët me Lulzim Bashën, por i tradhtuar nga Basha se unë nuk e kam tradhtuar projektin, unë vazhdoj të besoj tek projekti. Ishte ai që e ndau me demokratët domosdoshmërinë për ta çuar LSI-në për skrap që nuk do të ketë më matrapazllëqe me LSI-në dhe sot është një aksioner në SHPK-në e 4 ortakëve, ku ai është ortak minorance se ortakët kryesorë janë Saliu dhe Ilir Meta. LSI është projekt që duhet zhbërë.  Besoj se LSI-ja është sistem që duhet çmontuar komplet. E kam besuar dhe e besoj”, tha Rama.

Por sapo kryeministri Rama përfundoi konferencën e tij që zgjati pothuajse 2 orë, nga kampi tjetër, ai i selisë blu u njoftua një bashkëbisedim me gazetarët nga ana e kryetarit Lulzim Basha. E sigurisht në këtë dalje publike, kryetari i PD-së u pyet për këtë deklaratë të kryetarit të qeverisë. Basha tha se Rama “çfarë thotë sot nuk thotë nesër”. Sipas kryedemokratit, Rama do të fillojë të përgënjeshtrojë veten brenda ditës.

“Është kaq i lodhur, çfarë thotë sot nuk thotë nesër. Sa herë do ta kapni ju duke gënjyer dhe duke përgënjeshtruar veten e tij shumë shpejt do të fillojë të njëjtën gjë në mëngjes, në darkë dhe do të fillojë ta përgënjeshtrojë të nesërmen dhe pastaj do ta përgënjeshtrojë veten e tij brenda ditës. Nuk mban më Rama. Ka mbaruar. Është e shkuara, prandaj s’po merrem me të më”, tha Basha.

Kryedemokrati siguroi për koalicionin e qëndrueshëm me LSI-në dhe partitë e tjera dhe shtoi se së bashku me to do të largojnë Ramën më 25 Prill.

“Tashmë duhet të merremi me të ardhmen. Dhe në të ardhmen koalicioni që unë drejtoj bashkë me LSI-në dhe partitë e tjera, hapi i parë që do të hedhim është do të largojmë Edi Ramën më 25 Prill dhe pas kësaj do të nisim zbatimin e planit tonë të punës që do të sjellë ndryshim real, jo mrekulli”, u shpreh Lulzim Basha./tvklan.al