“Mos mendoni dhe Serbia do njohë Kosovën”
Lënia mënjanë e ndasive për politikën e ditës dhe bashkimi kombëtar nga të dy anët e kufirit për një çështje kaq të qenësishme siç është dialogu Prishtinë-Beograd, por dhe aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit, për Edi Rama është e vetmja rrugë që t’i nxjerrë shqiptarët të fituar.
Në konferencën për shtyp me homologun Avdullah Hoti, i cili erdhi në Tiranë në një vizitë zyrtare, Rama foli në vetë të parë, kur u pyet për deklaratat e Aleksandër Vuçiçit, që thotë se do të negociojë me perëndimin dhe jo me Kosovën.
Vetë Hoti thotë se është i gatshëm të shkojë në Washington për të negociuar, edhe pse i njeh si meritat si SHBA dhe BE për mbështetjen e dialogut.
Rama u drejtohet të gjitha palëve në Tiranë dhe në Prishtinë për të qenë një, edhe pse thotë nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të Kosovës.
Këmbëngul për nevojën që dhe Kosova të bëhet pjesë e nismës së Shengenit Ballkanit dhe i quan konspiracion teoritë për shkëmbim territoresh.
Rama e Hoti ranë dakord që nëse situata e pandemisë do i lejojë, dy qeveritë do të mblidhen në Shkodër në Shtator, si dhe do te zhvillohet një kongres i përbashkët i autoriteteve lokale.
Ndërsa në takimin me kreun e opozitës, Lulzim Basha, ky i fundit u angazhua të heqë taksën e Rrugës së Kombit kur të vijë në pushtet.
“Premtimi im qëndron. Do të jetë një nga vendimet e para të qeverisë së ardhshme, heqja e taksës e Rrugës së Kombit”.
Hoti u prit edhe nga Presidenti Meta, ish-Kryeministri Sali Berisha, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i dhuroi në shenjë mirënjohje Çelësin e Kryeqytetit.
Tv Klan