Kryeministri Edi Rama ka folur këtë të shtunë për programin ekonomik të Partisë Demokratike. Ai e krahasoi alternativën e selisë blu për bujqësinë si “meny që ofron të gjitha pjatat imagjinare dhe i bën njerëzit të ëndërrojnë për gjellë pasanikësh”.

Kreu i qeverisë ndodhej në Nivicë ku zhvilloi një intervistë të shkurtër. Ndër të tjera ai tha se programi i PD-së është si pjatat bosh që nuk do shfaqen kurrë në asnjë tavolinë.

Pyetja e fundit kryeministër, ndoshta në këtë natyrë të bukur është gjynah të merremi me politikë, por nuk mund ta shmang këtë pyetje. Besoj e keni parë programin e PD-së për bujqësinë dhe një nga pikat që mua më zgjoi kuriozitetin për ta lexuar dhe për të kërkuar pak më tej ishte 100 milionë Euro mbështetje për bujqësinë shqiptare. Si ju duket ju ky propozim?

Edi Rama: Po të bashkojmë bashkë buxhetin që ne japim nga arka e shtetit dhe buxhetin që ne kemi arritur të thithim falë një organizimi tonë nga programet europiane shkojnë pak a shumë në të njëjtën shifër. Programi i PD-së është faktikisht një meny për të ofruar të gjitha pjatat imagjinare për të gjitha kategoritë e njerëzve dhe për t’i bërë të ëndërrojnë një gjumë me gjellë pasanikësh siç thuhet tek “Lulëkuqet mbi mure”. Besoj që Shqipëria reale, e njerëzve të punës është shumë më e madhe sesa Shqipëria virtuale dhe e njerëzve të llafeve dhe pjatave bosh në gjumë. Prandaj është një program që do të mbetet njësoj si ato pjatat bosh që fatkeqësisht nuk do të shfaqen kurrë në asnjë tavolinë.

Në fokusin e intervistës së zhvilluar për ERTV-në, kryeministri Edi Rama kishte projektet e agroturizmit./tvklan.al