Edi Rama mblodhi herët në mëngjes deputetët e tij në Kryesinë e Kuvendit, paralelisht me seancën e njohjes së masës së sigurisë në Gjykatën Speciale nga kryebashkiaku Veliaj, bashkëshortja dhe biznesmenët e akuzuar së bashku me ta. Kryeministri tha se duhej ndalur republika e prokurorëve.
“Do jemi të gatshëm të pranojmë abuzimin me njerëzit, me të vërtetën, me standardet, sepse ky është minimumi, përndryshe kthehemi mbrapa. Dhe kur kam folur për republikë prokurorësh këtë kam pasur parasysh. Dhe këto janë shenja, tanimë të qarta që duhen frenuar tani në bashkëpunim me pozicion konstruktiv”, tha Edi Rama.
Lexoi një mesazh nga një qytetar digjital për gjyqtarin që ka në dorë dosjen e Veliajt. Sipas tij, asnjë gjyqtar tjetër i BKH nuk e kishte marrë përsipër arrestimin e kryebashkiakut sipas kerkesës së Prokurorisë Speciale.
“Nesti ishte aty, që në Shkurtin e kaluar. Qartazi është caktuar gjyqtari në këtë rast, dhe ju informoj se gjyqtarë të tjerë nuk kanë pranuar që t’i rrinte të njëjtës kërkesë për arrest sepse gjyqtari mund vetëm të zbusë masën e kërkuar nga prokurori, jo ta ashpërsojë. Por, ju edhe pse ligjin e keni bërë për një garanci më shumë, në fakt keni garantuar vetëm atë 100%-shin e vulosjeve të kërkesave të prokurorisë”, tha Rama.
Rama përmendi faktin që ky gjyqtar ka ashpërsuar masat edhe ndaj eksponentëve të tjerë socialistë.
“Ky dhe një tjetër, xy nga qyteti x, i njohur familjarisht si ekstremist i djathtë, kanë trajtuar më së shumti kërkesa për eksponentë të PS-së. Disa herë në vendimet e tyre, ata e kanë kaluar cakun e gjyqtarit për kërkesat paraprake, duke bërë konsiderata që ligji nuk ua lejon dhe duke bërë ashpërsimin e masave të kërkuara nga prokurorët”, tha Edi Rama.
Ky gjyqtar ka edhe dosjen Toyota Yaris sipas kryeministrit.
“Altin Dumani të kërkojë gjurmët e vendimit të Toyota Yaris dhe t’ia thotë publikut si kanë përfunduar në monologët e bufit të kënetës, meqë qenka një vendim i ndaluar për publikim dhe dihet kush e ka marrë”, tha Rama.
Pasi e lexoi këte mesazh nga qytetari digjital Rama i paralajmëroi prokurorët që të mos guxojnë e të shkojnë edhe atij t’i marrin telefonin.
“Dhe të mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se boll i kanë, i kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë atje, të shkojnë të merren me faktet”, tha Rama.
Rama theksoi se rasti i arrestimit të Erion Veliajt me urdhër të atij gjykatësit është i rëndë, prandaj duhet tha ai që Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë të zgjohej dhe marrë masa disiplinore.
Klan News