Sheshi “Nënë Tereza” do të rijetëzohet me një oaz të gjelbër kushtuar librit dhe një hapësire të dedikuar publikut.
Lajmin e dha vetë Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projektit, ku janë menduar edhe ndërhyrjet për sistemin e parkingut.
“Është e rëndësishme që projekti është tërësisht i disponueshëm për t’u bërë i lëvizshëm, pra nuk është një ndërtim me një impakt mbi strukturën e sheshit, por është një instalim i jetueshëm, miqësor plotësisht me mjedisin dhe njerëzit. Do të duhet të ecim edhe me një program të ri që kemi që është një program kombëtar së bashku me fondin e zhvillimit për një infrastrukturë parkimesh mbitokësore”, tha Edi Rama.
Kryeministri Rama nënvizoi se në një fazë të mëvonshme do të kryhen edhe ndërhyrje tek Pallati i Kongreseve, për t’i dhënë tjetër dimension kësaj godine ikonike të kryeqytetit.
“Korporata Shqiptare e Investimeve do të shpallë edhe konkursin për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, me të njëjtën formulë si me stadiumin, ku do të fitojmë një pallat kongresesh. Është transformuar, do rinovuar dhe patjetër do shohim si do paraqiten dhe cili do të jetë projekti më i mirë, konkurs ndërkombëtar”, tha Rama.
Të gjitha këto projekte zhvillimi, sipas kryeministrit, do ta kthejnë Tiranën në kryeqytetin e mbarë Rajonit.
“Ky do të jetë kryeqyteti më i jashtëzakonshëm i Rajonit, kjo nuk diskutohet, por do të jetë dhe një ndër qytetet më tërheqës të Europës”, tha Edi Rama.
Investimet që do të kryhen pranë zonës së sheshit “Nënë Tereza” dhe Pallatit të Kongreseve do të krijojnë mundësinë e zhvillimit të shumë eventeve të mëdha mbarëkombëtare.
Klan News