Grupi parlamentar socialist dëgjoi me kërkesën e saj, kryetaren e Komisionit të Ligjeve që donte të ndante të vërtetën e saj lidhur me përfshirjen e emrit si person që ka penguar drejtësinë në dosjen e kryebashkiakut Veliaj.

“Po, unë e kam takuar vajzën në fjalë. Ina Goxhaj është kushërirë e imja. Nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fsheh ndonjë të vërtetë”, tha Bushka.

“Për mua është e pakonceptueshme që Kryetarja e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, e merr vesh nga televizori duke dëgjuar gazetarët specialë”, tha Rama.

Ndërsa kryeministri që në hyrje të deklaratës së tij ritheksoi pozicionin e socialistëve për të mbështetur pavarësinë e drejtësisë, por deri aty ku janë kufijtë e pavarësisë se ekzekutivit dhe legjislativit. Sipas Ramës, ata nuk do të rrinë duarkryq përballë rrezikut të rikthimit në metodat e hetuesisë komuniste dhe krijimit të një shteti prokurorësh.

 “Nuk është vetëm drejtësia e pavarur nga legjislativi dhe nga ekzekutivi, por janë edhe legjislativi dhe ekzekutivi të pavarur nga pushteti i drejtësisë”, tha Rama.

Rama kërkoi nga SPAK-u, por dhe nga mediat të hulumtojnë për t’u treguar publikut provat që çuan në arrestimin e kryebashkiakut Veliaj për një çështje që është ende në fazën e hetimit.

“Në atë roman 400-faqësh nuk ka prova”, tha Rama.

Provën e parë se SPAK-u gabon kur e akuzon Veliajn se emëroi bashkëshorten e biznesmenit Sula si zv/ministre pasi zhvilluan një udhëtim jashtë së bashku, e bëri publike vetë.

Që zv/ministrja e Punës dhe e Çështjeve Sociale është vendosur aty me kërkesë të ish-kryetarit të Kuvendit. Mua personalisht kur ishim në koalicion”, tha Rama.

Rama tha se ishte dëshmitar dhe është gati të dëshmojë për intimidimin e njerëzve me metoda komuniste. Nuk përmendi emra, por tha se artistë në cilësinë e personave që kanë dijeni janë marrë në pyetje që tregojnë se po abuzohet me pavarësinë e prokurorit.

“Kur futesh atje, je në një republikë tjetër atje. Domethënë kur futesh atje ai që ke përballë vetëm se është prokuror, ai është mbi ty dhe ti nuk je më qytetar i barabartë i republikës?”, tha Rama.

Si një tjetër provë që procesi ndaj Veliajt nuk është brenda standardeve për të cilat këmbënguli disa herë se duhet të respektohen dhe socialistët do të punojnë me forcë që kjo të ndodhë, Rama lexoi një SMS të ardhur në telefonin e tij nga një njeri brenda Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion. Mesazh ku shkruesi i tij rendiste disa të dhëna që gjyqtari dhe prokurori i çështjes së kryebashkiakut janë në unison të plotë për ecurinë e procesit.

“Qartazi është selektuar gjyqtari në këtë rast dhe ju informoj që gjyqtarë të tjerë nuk kanë pranuar që t’i rrinte të njëjtës kërkesë për arrest sepse gjyqtari mund vetëm të zbusë masën e kërkuar nga prokurori, jo ta ashpërsojë”, citoi Rama.

Njeriu i drejtësisë që Rama zgjodhi të mos ia lexonte emrin fliste se i njëjti gjyqtar që i ka shprehur hapur preferencat politike të djathta dhe ka furnizuar Sali Berishën me të gjithë fashikujt e dosjes “Toyota Yaris”.

“I njëjti gjyqtar, është gjyqtari paraprak për dosjen ‘Toyota Yaris’, këta qytetarët digjitalë janë hall i madh, “vetëm një fakt, ka urdhëruar ndalim, publikim të vendimit të tij, gjë që nuk e bën, por përkundrazi bën të kundërtën, për rastet kur duhet të përbalten njerëzit e Partisë Socialiste, për shkak se aty përmenden shumë kolegë të tyre, por ama bë ditën një, vendimin e pati në dorë, prap njëri që e keni në Parlament, dhe tani e ka, – këtij ia them emrin unë, ‘bufi i kënetës’, ky s’e ka shkruar kështu këtu, – që ua lexon shqiptarëve komunikime nga Encrochat-i në Parlament, dhe të gjitha janë pjesë e përmbajtjes së këtij vendimi gjyqësor, i ndaluar për tu përhapur dhe publikuar”, tha Rama.

Mesazh-shkruesi i Ramës i cilëson si kamikazë të opozitës këta njerëz të drejtësisë për të dhe citon deklaratat që ata bëjnë në mjediset e gjykatës.

“Bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së, në GJKKO, që s’e kanë asnjë problem ta shprehin në mjedisin tonë, kënaqësinë e të marrit në dorë të këtij dhe të atij, duke thënë që ne do t’i shkrijmë.”

Edi Rama i kërkoi llogari Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për mungesën e vlerësimeve të gjyqtarëve ndërsa nga Dumani hetim për rrjedhjen e sekretit hetimor.

“Altin Dumani, të kërkojë gjurmët e vendimit të “Toyota Yaris” dhe t’ia thotë publikut si kanë përfunduar në monologët e ‘bufit të kënetës’. Sa është ora? 9:48. Nuk e di a është zgjuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë, po mbase zgjohet dhe më dëgjon. Është shumë e rëndë kjo! Edhe mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se boll i kanë. Kanë mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë atje”, tha Rama.

Kryeministri tregoi dhe çështjen e Belind Këlliçit si një rast kur SPAK-u po bën politikë duke tentuar të godasë në mënyrë të balancuar nga të dyja selitë politike.

“Tani të përfundojë njeriu në dyert e SPAK-ut për diplomën, jo e ke false, po çfarë është kjo?”.

Ripërsëriti se pavarësisht kostove që po marrin do të vazhdojnë ta mbështesin drejtësinë, por duke luftuar tanimë për respektimin e standardeve që do të jetë misioni i mandatit të 4 që siguron se do të vijë me rezultat me flakërues se 3 të parët.

“Mavija duhet të bëhet e kuqe flakë, siç i ka qejf Erion Braçe ngjyrat e kutive. Tërmet nga poshtë, flakë nga lart dhe në 11 maj do marrim mandatin e katërt dhe mandati i katërt do jetë mandati i standardeve demokratike të drejtësisë”, tha Rama.

Tv Klan