Jo pak herë qeveria është akuzuar për bllokim të dhënies se informacionit jo vetëm nga mediat, por dhe nga opozita parlamentare. Por duket se dhe vetë kryeministri është i bindur se akses në informacion nga ana e të gjitha institucioneve, përfshirë dhe qeverinë e tij, është e vetmja mënyrë për të luftuar dezinformimin.
“Bën shumë përshtypje është që ende sot ka një mendësi dominante në administratë që dhënia e informacionit është një ekspozim i panevojshëm, ndërkohë që këtu bëhet fjalë për të dhënë informacion mbi vendimmarrjet, mbi veprimet e përkthyera në vendime të cilat janë aty dhe është absolutisht sa dramatike aq dhe qesharake kur pastaj marrja e informacionit, pra marrja e dokumenteve që praktikisht janë shkruar, janë firmosur, janë protokolluar dhe që ekzistojnë dhe nxjerrja e tij në publik paraqitet si një zbulim: “gjeta një dokument”. nuk ka një mënyrë më efikase për të përballur dezinformimin duke informuar më shumë nuk ka një mënyrë më të drejtpërdrejtë, më demokratike dhe patjetër dhe më ballafaquese për t’ju kundërvënë dezinformimit, sesa rritja e informimit”.
Duke iu referuar rastit konkret të gazetarit Elton Qyno, ndaj të cilit u ushtrua kontroll banese dhe iu sekuestruan telefonat dhe kompjuteri personal, për nxjerrje të sekretit hetimor, Rama u pozicionua në mbrojtje të tij dhe u kujtoi prokurorëve se janë ata përgjegjës për ruajtje të informacionit, për dosjet që kanë në hetim.
“E drejta e informimit dhe dhënia e informacionit nuk janë sekret hetimor. për mua gazetarët nuk nxjerrin sekret hetimor se gazetarët nuk i disponojnë sekretet hetimore. Sekretet hetimore i disponojnë prokurorët kështu që kur gazetarit i bie në dorë sekreti nuk është më detyrimi i tij të ruajë sekretin dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por shkon drejt atyre që ia dhanë atij. Kush e prodhoi lajmin ose kush ia dha atij lajmin që ta çojë diku tjetër është burimi me të cilin ti duhet të merresh në rast se lajmi është një gënjeshtër apo në rast se lajmi nuk duhet të dilte, etj”.
Në fjalën e tij, në Konferencën Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Rama propozoi ngritjen e një bordi me pjesëmarrjen e agjencive përgjegjëse, përfshirë dhe qeverinë, që të monitorojë dhe sigurojë që çdo pushtet të mos cenojë të drejtën e informimit.
Tv Klan