Kryeministri Rama nuk dorëzohet. Ai ka vijuar edhe sot replikat virtuale me moderatorin e emisionit Report në Rai 3. Gjatë një interviste për një televizion shqiptar, Sigfrido Ranucci tha se do të ishte më mirë që Kryeministri shqiptar të kishte kontaktuar direkt atë dhe jo drejtorin e Rait, pasi këto mënyra sipas tij ngjajnë me ato që përdorin në Kremlin.
Në një postim drejtuar Ranuccit, Rama i shpjegon se nuk ka besim të kontaktojë me të pa dëshmitar, nisur nga deformimi që i ka bërë sipas tij fakteve që janë përfshirë në dokumentarin e transmetuar në emisionin e tij.
“Ja ku jam në kontakt të drejtpërdrejtë me ju, por para syve të të gjithëve, sepse me gjithë shtrembërimet e një të vërtete të thjeshtë kam pasur fatin e keq dhe të mirë, e të jetuarit në lëkurën time në këto 72 orë, nuk kam guxim të komunikoj me ju pa dëshmitarë. unë kam për detyrë të ngulmoj për të nderuar të vërtetën e nëpërkëmbur nga ai program brutal dhe të mos dorëzohem në mbrojtjen e Shqipërisë dhe institucioneve të saj, duke përfshirë edhe rolin e saj në marrëveshjen dypalëshe me Italinë. Edhe nëse programi juaj ka çdo të drejtë të kritikojë duke bombarduar qeverinë e vendit të tij, ai nuk ka të drejtë ta bëjë këtë duke njollosur vendin tim dhe fjalën “shqiptar” me shpifje”.
Kryeministri shqiptar shpreh keqardhjen dhe për krahasimin e telefonatës së tij me drejtuesin e Rait, me ndërhyrjet e Kremlinit.
“Në respekt të viktimave të Kremlinit, nuk do të krahasoja kaq lehtë poloniumin e përdorur për të censuruar me vdekje opozitarët e pakëndshëm me një ndërhyrje telefonike të ardhur pas një censure”.
Një shtrembërim të fakteve, Rama cilëson dhe atë pjesë të dokumentarit të Rai3 ku flitej për përfshirjen e të vëllait në çështjen Xibraka.
“Më vjen keq kryesisht për shtrembërimin e asaj që tregoni si akte gjyqësore në lidhje me vëllain tim, duke qenë se akte të tilla jo vetëm që nuk ekzistojnë, por pikërisht kjo është tashmë objekt i një padije gjyqësore për shpifje këtu në Shqipëri, një rrethanë që në një transmetim të thelluar investigativ siç pretendoni ta arrini, të paktën duhet përmendur për të shmangur riprodhimin pa kritikë të stereotipit të një epoke tjetër të shqiptarit të interesuar vetëm për drogën dhe të një Shqipërie të korruptuar nga koka e këmbët”.
Kryeministri shpreh gatishmërinë për të qenë live në emisionin Report për të thënë të vërtetat e tij.
“Në çdo rast, tani jam unë që pres një telefonatë prej jush, duke ju siguruar se do të më gjeni shumë të disponueshëm për të dakordësuar përballjen tonë publike, drejtpërdrejt dhe pa pengje, gënjeshtër pas gënjeshtre, të vërtetë pas së vërtete, duke shpresuar ta mbyll me një përqafim dashamirës virtual, me një det në mes këndvështrimeve tona për vlerën e lirisë së informacionit, e cila siç e the me të drejtë nuk ka çmim”.
Ranucci ka lajmëruar se këtë të dielë do të transmetohet pjesa e dytë e investigimit për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.
Tv Klan