Nga studioja e Klan News, analisti Mentor Kikia komentoi në lidhje me ndryshimet që bëri kryeministri Edi Rama në qeveri. Sipas tij, Rama duhet t’i japë një shpjegim publikut për sa i përket ndryshimeve në ministri, e aq më tepër shkarkimit të Taulant Ballës si ministër i Brendshëm.
Kikia u shpreh se Balla në krye të Ministrisë së Brendshme ka bërë një punë që nuk linte shkas për t’u kritikuar, duke përmendur kështu një sërë nismash të rëndësishme që ai ndërmori për sigurinë në vend.
Mentor Kikia, analist: Të gjitha lëvizjet ministrore nuk morën dot përgjigje se përse u bënë. Publiku nuk dikton dot emrin se kë Rama do të vendosë në kabinetin e tij, është një e drejtë ekskluzive e tij që t’i lëvizë, kur ai mendon dhe shikon që nuk janë duke performuar mirë në raport me përmbushjen e objektivave aty ku janë vënë, por duke qenë se ky vend nuk ka 13-14 ministra dhe është niveli më i lartë i nëpunësit të administratës publike që paguhet me taksat e qytetarëve, iu detyrohet një shpjegim publik se përse u lëviz ministri i Brendshëm. Është një nga ministritë më të rëndësishme, për të thënë më e rëndësishmja në raport me interesat e publikut. Ndërkohë që Balla ka patur një perfomancë jo për t’u kritikuar nëse nuk do të themi dot për t’u lavdëruar. Nuk ka patur asnjë shenjë që mund të kishte çedime në punën e tij, përkundrazi ka patur disa lëvizje që kanë promovuar shkundje të strukturave dhe ka patur nisma që kanë çuar në rritjen e sigurisë në shkolla. Vjen një moment që lëvizet thjesht me një njoftim gojor dhe këtu jo për Ballën, ai ka të drejtë ta kërkojë shpjegimin, por më shumë për qytetarët duhet të ishte dhënë një shpjegim.
Kikia u shpreh gjithashtu se tashmë në Partinë Socialiste nuk ka më figura politike tradicionale. Sipas tij këto figura klasike po zëvendësohen nga drejtues teknikë.
Mentor Kikia: Në qeveri nuk ka më figura politike. Nuk janë figura politike tradicionale, përtej angazhimeve që kanë sepse patjetër që duhet t’i kenë, por nuk janë figura klasike politike të PS. Të gjithë kanë ardhur si drejtues teknikë dhe më pas janë stazhonuar në administratën burokratike të qeverisë. Gradualisht Rama i ka zhvendosur figurat politike. Nuk e di nëse kjo është një strategji për t’i përdorur njerëzit politikë në fushatë edhe pse askush dhe asnjë nuk i kishte penguar ata që krahas detyrës së ministrit të dilnin në fushata elektorale pa asnjë lloj problemi, përveç detyrimeve ligjore që administrata nuk duhet të përdoret për fushatë elektorale./tvklan.al