Kryeministri Edi Rama, në një takim të zhvilluar me qytetarët e Lushnjes, ka komentuar projektligjin e lojërave të fatit, që u miratua me 75 vota pro në Kuvend ditën e enjte.

Rama u shpreh se për të gjithë ata që do të mbeten të papunë pas mbylljeve të lojërave të fatit, qeveria do të ketë një projekt-plan për trajnimin e tyre.

“Kemi vendosur ta bëjmë të plotë ligjin për bastet, lojërave, basteve të qenve, garave me kuaj, dhe bastet online dhe bingot, në mënyrë që të mos krijojmë transformime të fshehura në një licencë. Në këtë projekt-ligj kemi patur mbështetjen e grave dhe vajzave. Kemi patur një mbështetje siç ndodh rrallë herë 17% të qytetarëve që e mbështesin, por janë shumë më shumë gratë. Jo në çdo familje burrat apo djemtë luajnë, por kjo është diçka që flitet, diskutohet, ajo që është specifike se ata që luajnë e fillojnë që 10-15 vjeç. Sipas studimeve kanë problem stresi dhe nervozizmi, nga ana tjetër ka një diskutim nuk do jetë e lehtë. Por do u japim mundësinë nëpërmjet trajnimit të gjithë punëkërkuesve që të përfshihen nga ky projekt-ligj”,

tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri Rama u shpreh se shuma e lojërave të fatit arrin në vlerën prej 700 milionë dollarë dhe se tani këto para do të shkojnë në arkën e çdo familje.

“Shuma që dalin nga këto lojëra arrin në 700 milionë dollarë që qarkullojnë, të cilat nuk do shkojnë për llum por do qëndrojnë në arkën e familjes. Kryetarët e bashkive në qytete më kanë thënë se ka njerëz që marrin ndihmën ekonomike dhe e çojnë tek bastet”,

u shpreh Rama.

/tvklan.al