Shqipëria synon që të prodhojë me forcat e veta brenda vitit 2030 kohë kur do të prodhojë vetë të gjithë energjinë që i nevojitet.

Ky premtim për të arritur ‘sovranitetin’ energjetik ka ardhur nga kryeministri Rama duke iu përgjigjur një qytetari i cili i shkruante se çmimi i energjisë duhej ulur edhe më shumë se një Lekë, pasi Shqipëria e prodhon vetë energjinë.

Rama shprehet se ulja e çmimit është historike, pasi aktualisht Shqipëria prodhon 75% të nevojave të veta në një vit te mirë hidrik kur ka reshje të bollshme dhe vetëm 65% në një vit të thatë.

Rama ka publikuar edhe pamjet e vitit 2013 me radhët e gjata të abonentëve që presnin të paguanin faturat e energjisë elektrike. Kreu i qeverisë e konsideron “epokal” transformimin e sektorit energjetik në qeverisjen socialiste.

Në viti 2013, sipas kryeministrit, Shqipëria ishte vrimë e zezë në mes të Evropës me vjedhjet e humbjet katastrofike të energjisë, me gjysmën e popullsisë që s’paguante, lëvizjet skandaloze të çmimit e zhurmat e gjeneratorëve nëpër rrugë.

Sot Shqipëria është ndër prodhuesit më të mëdhenj të energjisë diellore në rajon, me shërbime të digjitalizuar dhe një volum investimesh në vazhdim që do ti japë vendit pavarësinë e plotë energjetike brenda mandatit të katërt.

Sipas Ramës, është vendosur ulja e parë në 35 vjet të çmimit për konsumatorët familjarë, nga e cila përfitojnë mbi 1 milionë abonentë. Bordi i Entit Rregullator të Energjisë vendosi dje që çmimi për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kwh, do të jetë 8,5 Lekë për kilovat (pa TVSH).

Për ato familje që konsumojnë më shumë se 700 kilovat, çmimi do të jetë 9,5 Lekë për kilovat (pa TVSH). Ky vendim hyn në fuqi për periudhën 1 Shkurt deri në 31 Dhjetor 2025.

Klan News