Si në çdo reagim nga qelia, edhe këtë të Shtunë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka hedhur akuza për Prokurorinë e Posaçme lidhur me hetimin që po zhvillohet ndaj tij dhe bashkëshortes, Ajola Xoxa. Duke i cilësuar veprimet hetimore të SPAK, si një proces vettingu ndaj tij, Veliaj shkruan në rrjetet sociale se prokurorët e posaçëm kanë rrëmbyer telefonat e njerëzve që ai njeh prej 20 vitesh në Tiranë.

Kryebashkiaku përmend gjithashtu një nga faktet e evidentuara në dosjen penale ndaj tij, lidhur me takimet që ai ka zhvilluar me dy arkitektë ndërkombëtarë.

“Telefon pas telefoni dhe gjurmim pas gjurmimi, Ols Dado më akuzon se kam takuar dy agjentë të huaj, Jesus Hernandez dhe Marco Casamonti, në fakt dy arkitektë me reputacion ndërkombëtar, që Nesti Kafka duhet ta kishte për nder t’u jepte dorën. Dhe sipas Kafkës tim, i paskam takuar për “punë sponsorizimesh”, se taktika e tij është “kap thërrime dhe hiqu si dyqan buke”. Po more, i kam takuar të dy star-arkitektët, me kënaqësi të madhe madje – por, jo për t’ju dhënë ndonjë favor të pamerituar që t’ju marr ndonjë favor personal mbrapsht, po për t’ju dhënë respekt e për t’ju marrë kontribut FALAS për Tiranën.”


Ai thekson se falë këtij modeli bashkëpunimi me arkitektët e huaj, sot Tirana ka disa nga projektet më të bukura.

“Jesus Hernandez ka projektuar muzeun “Marubi” në Shkodër, një kryevepër. Po ashtu sheshin e ShirokësPasi shpronësuam “Sarajet”, mes betejash e netësh për ta mbrojtur monumentin e kulturës nga pronarë që donin ta digjnin, i kam kërkuar si “sponsorizim” një koncept-ide se si mund ta kthenim atë godinë në një Muze Etnografik të Tiranës. Njësoj veprova edhe me Elisabetta Terragni-n, ku pas “Shtëpisë së Gjetheve” – një tjetër sukses – i kërkova të “sponsorizonte” me projekt-ide “Shtëpinë Kadare – Agolli”. Marco Casamonti-t, projektuesit të stadiumit “Arena Kombëtare”, i kam kërkuar të “sponsorizojë” një pavion për Tiranën në Bienalen e Venecias për arkitekturë. Pra, jo para jo, po kontribute me projekt-ide, pa pagesë nga ana e buxhetit të bashkisë.”

Teksa rendit sponsorizimet që Bashkia Tiranës ka përfituar në 10 vite në drejtimin e tij, Veliaj thotë se ka refuzuar t’i besojë shprehjes së “kush punon shumë në këtë vend e pëson”, teksa shkruan se kurrë s’do ta pranojë që të kërkuarit për qytetin, e jo për vete, është korrupsion.

Tv Klan