Kanë vijuar reagimet e liderëve botërorë pas debatit të ashpër që shoqëroi takimin e presidentit Trump dhe atij ukrainas Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Kancelari gjerman Olaf Scholz i doli në krah presidentit Zelensky, duke theksuar se Ukraina ka mbështetjen e Gjermanisë.
“Askush nuk dëshiron paqen më shumë se qytetarët e Ukrainës! Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë bashkërisht rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë. Ukraina mund të mbështetet në Gjermani dhe në Evropë.”
Ndërsa kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila ka një marrëdhënie të mirë me presidentin Trump, kërkoi uljen e tensioneve dhe mbajtjen e një samiti BE-SHBA.
“Nga ndasitë nuk do të përfitonte askush. Ajo që nevojitet është një samit i menjëhershëm midis Shteteve të Bashkuara, shteteve evropiane dhe aleatëve për të folur sinqerisht për mënyrën se si synojmë të përballemi me sfidat e mëdha të sotme, duke filluar nga Ukraina, të cilën e kemi mbrojtur së bashku vitet e fundit”.
Në krah të Kievit u pozicionua edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
“Kanadaja do të vazhdojë të qëndrojë me Ukrainën dhe ukrainasit në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.”
Shefi i NATO-s, Mark Rutte bëri të ditur se pas debatit të ashpër të ndodhur në Shtëpinë e Bardhë, ka biseduar dy herë në telefon me Presidentin Zelensky duke i kërkuar atij që të rregullojë marrëdhëniet me Trump. Ai për BBC-në tha se duhet të bashkohen SHBA, Ukraina dhe Europa për të sjellë një paqe afatgjatë.
Presidenti ukraianas mbërriti këtë të shtunë në Londër për të marrë pjesë në samitin urgjent me liderët evropianë për fundin e luftës. Ai u prit nga kryeministri britanik Keir Starmer, i cili tha “ne qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa mund të duhet”.
Tv Klan