Kryeministri Edi Rama nuk bëri asnjë reagim për protestën e opozitës të 7 Tetorit. Madje për kreun e mazhorancës ajo nuk mund të quhet as protestë pasi të tilla ka pasur vetëm dy gjatë 3 mandateve të tij në qeveri.
“Dy protesta ka pasur në Shqipëri që kanë qenë protesta sa kohë jam unë këtu. Të tjerat nuk janë protesta. Janë shfaqje, manifestime politike për interesa për pushtet. Nuk janë protesta. Janë protesta partie. Dy protesta ka pasur Shqipëria: Një ajo e armëve kimike! Sapo unë kam filluar dhe protesta e studentëve. Ato ishin protesta.“
Deklaratën, kreu i mazhorancës e bëri në podcastin e tij “Flasim” ku tha se reformat e ndërmarra kanë transformuar administratën shqiptare.
“Ka një pjesë që akoma për të qarë hallin dhe një pjesë tjetër për të qenë krenarë dhe një përfaqësi e saj bëri procesin e hapjes së negociatave me BE-në. Nderoi Shqipërinë atje se morëm vlerësime maksimale në ballafaqimin e parë teknik se do të kishim dalë skifo nëse nuk do i kishim këta njerëz.”
I ftuari i radhës i kreut të qeverisë ishte Gentjan Shaqiri, piloti shqiptar që mund të shkruajë historinë duke u shpallur kampion në FIA CEZ në garën Hill Climb. Rama tha se “janë hapat e fundit përpara firmosjes” për sjelljen e Formula 1 në Shqipëri.
“Do të jemi i pari vend në zhvillim që hyn në ‘Formula 1’ dhe ky është rezultat i asaj që ka ndodhur me Shqipërinë dhe me rritjen e reputacionit dhe respektit për Shqipërinë.”
Rama tha se projekti i paraqitur nga Shqipëria me Automotoparkun e Elbasanit është vlerësuar shumë nga “Formula 1” pasi ka në fokus sigurinë rrugore.
Tv Klan