Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari me ftesë të kryeministrit Viktor Orban. Pas takimit “kokë më kokë” dhe delegacioneve shoqëruese në deklaratën e përbashkët për mediat Orban vlerësoi reformat e ndërrmarra nga Shqipëria, duke e vënë theksin tek pengesat politike sipas tij që kanë mbajtur peng anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.
“Në fakt Shqipëria ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë bisedimeve me BE-në në një proces që është bazuar tek merita, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe duhet të ishte pjesë edhe tani, por fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për t’i kaluar këto probleme, ndoshta edhe këtë lloj qasje. kemi patur sukses pasi javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi në fakt konferencën ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe do të hapet grup kapitulli i parë dhe për këtë dëshiroj të përgëzoj kryeministrin Rama dhe Shqipërinë dhe jemi shumë krenar që ky moment, vjen në këtë periudhë kur Hungaria ka edhe Presidencën e Këshillit të BE-së.”
Nga ana e tij Rama s’ia kurseu mirënjohjen ndaj mikut hungarez për mbështjen që vendi i tij ka dhënë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.
“Kam kënaqësinë që të shpreh mirënjohjen time të thellë nga zemra për atë që ka bërë presidenca e Hungarisë, pra Presidenca e Këshillit të BE-së për ne, duke nxitur, duke bashkërenduar dhe duke bërë të mundur që pas disa ditësh pra, ne do të kemi mundësinë që të hapim një pjesë të madhe të negociatave me Bashkimin Europian, pra një grup të tërë kapitujsh dhe në këtë mënyrë, ne do të hyjmë në një fazë integrimi e cila është vërtetë e përparuar, e avancuar.”
Dy zyrtarët e lartë folën edhe për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik si dhe atë të turizmit.
Orban: Shqipëria është një vend jo vetëm miqësor, por edhe shumë i rëndësishëm për ne. Ne duam që firmat hungareze, kompanitë hungareze të kenë sukses në Shqipëri dhe një reputacion të mirë dhe mund t’ju them që kompanitë tona, për shembull, po ecin shumë mirë edhe në tregun e telekomunikacionit.
Rama: I thashë kryeministrit që ne ndihemi të inkurajuar nga fakti që kompanitë hungareze po investojnë. bëhet fjalë për rreth 350 milionë euro , që është një shifër vërtetë domethënëse për ekonominë tone. Ne dëshirojmë që të kemi jo vetëm turistë hungarezë të cilët sigurisht i mirëpresim dhe meqë ra fjala, (Hungaria) është vendi nga i cili ne patëm një mbretëreshë. Por ne gjithashtu duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe që të kemi flamurin hungarez në Shqipëri dhe na pëlqen shumë flamuri hungarez.
Edhe ky takim mes dy miqve nuk kaloi pa batuta.
“Më vjen keq që nuk erdha me këpucët që kërkon protokolli, por kam veshur thjesht disa këpucë të mërzitshme, thjesht të zeza.”
Tv Klan