Kryeministri Edi Rama u ktheu përgjigje kritikëve duke thënë se zerimi i taksave për bizneset nuk është bërë për fushatë politike, por për shkak të reformave të thella dhe të suksesshme që ka marrë qeveria.

Gjatë fjalës së tij në prezantimin e disa programeve të reja nxitjeje të punësimit në mbështetje të personave që janë prekur në vendin e tyre të punës nga pandemia, ai tha se qeveria ka përballuar me dinjitet këtë situatë, por edhe të tërmetit.  

“Duke u nisur edhe nga njerëz që nuk kanë dëshirë të pranojnë të mirën, të pranojnë progresin, që këto masa, duke filluar nga ligji i Korrikut kur bëmë realitet zerimin e taksave e tatim fitimit dhe të TVSH-së si asnjë vend në rajon për biznesin e vogël në masën 100 milionë lekë xhiro dhe zerimin e tatim FITIMIT si asnjë vend në rajon për biznesin e vogël, nuk ka të bëjë me fushatën elektorale dhe nuk është se u kujtuam sot. Janë fryte që merren në kohë pas një pune të gjatë sepse janë masa që nuk mund të mendoheshin katër vite më parë apo lëre 7 vite më parë, kur u përballëm me atë gropë të zezë në buxhetin e shtetit. Pikërisht se kemi bërë reforma dhe kemi pasur goditje pas goditje dhe i kemi përballuar me dinjitet jemi në kushtet ku mund të realizojmë objektivat”, tha Rama.

Kreu i qeverisë paralajmëroi që javën e ardhshme do të publikohet rritja e rrogave për mjekët. Ky vendim, sëbashku me rritjen e pagave për mësuesit janë zotime të mbajtura të qeverisë sipas Ramës.

Kreu i ekzekutivit bëri një panoramë situatës së pandemisë ndërsa tha se “Shqipëria ka humbur më pak vende punë për frymë në krahasim me vendet e tjera të rajonit”.

Objektivi i radhës për t’u përmbushur, e që është shumë pranë realizimit sipas Ramës, është vendosja e pagës minimale 300 mijë lekë.

“Sot jemi duke definuar edhe matë masë që ka qenë një nga objektivat tonë që është vendosja e pagës minimale 300 mijë lekë për të mos pasur asnjë pagë nën 300 mijë lekë. Këtu kam parasysh të gjithë ata të punësuar në sektorin e manifukturës”, tha Rama. /tvklan.al