Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Zbutja e varfërisë duket se do të jetë një sfidë e vështirë për qeverinë. Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij të progresit të strategjisë kundër varfërisë, ka shprehur rezerva në lidhje me disa çështje që mund të pengojnë rritjen e standardeve të jetesës për shqiptarët.

FMN shprehet skeptike për klimën shqetësuese të zgjedhjeve të përgjithshme, ndërkohë që i cilëson shumë ambicioze programet e qeverisë, për financimet e projekteve kundër varfërisë, në krahasim me të ardhurat që mund të mblidhen nga tatimet dhe doganat. Këto plane duke qenë ambicioze në letër përballen me shkurtime fondesh në fund të vitit sipas FMN-së.

FMN-ja gjithashtu nuk i konsideron të përligjura me fonde konkrete financiare kompensimin afatgjatë të ish-pronarëve, apo atë të ish-të persekutuarve politikë. Shkalla e lartë e korrupsionit, klima ende e papërshtatshme për investime të huaja, si dhe bashkëpunimi i dobët me donatorët, janë disa aspekte të tjera, të cilat FMN i konsideron rreziqe në sfidën kundër varfërisë./tvklan.al