Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas një raporti zyrtar të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit të Pasurive në lidhje me vërtetësinë e deklarimit të çiftit Nano, opozita ka hedhur mjaft dyshime në lidhje me punën e këtij inspektorati dhe paanësinë e tij.

Gazetarja: Sipas raportit është marrë në pyetje presidenti i Auto Star Albanias Basri Ruka, i cili ka pranuar, gjithmonë citojmë raportin, se e ka dhuruar makinën Mercedes-Benz për Fatos Nanon, në Korrik të 2001. Sipas deklaratës së bërë prej tij, dhurata është bërë pa ndonjë interes përfitimi, por vetëm për të rritur reputacionin e shtetit dhe figurës shtetërore.

Në zyrat e këtij inspektorati deklarohet, se nuk mund të jepen të tjera detaje për rrethanat e marrjes në pyetje të presidentit të Auto Star Albanias. Gjithashtu nuk bëhet e ditur nëse deklarata e bërë prej tij është nënshkruar. Përfaqësia e Benzit në Tiranë prej tre muajsh ka refuzuar të deklarojë publikisht nëse është dhuruesi i makinës së kryeministrit, ndërsa motivi i dhurimit i cituar në raportin e zonjës Laskaj tingëllon i dyshimtë, pasi në momentin e dhurimit Nano ishte thjesht kryetar partie dhe jo kryeministër.

Gazetarja: Sipas citimit në raport dhurata është bërë në Korrik të vitit 2001, nuk bëhet e qartë se si do të rritet reputacioni i shtetit dhe figurës shtetërore, kur në këtë kohë, zoti Fatos Nano nuk ishte kryeministër.

Raporti i dorëzuar në parlament nuk shoqërohet me akte deklarimi dhe hetimi, çka ka bërë që opozita të hedh dyshime për punën jo serioze dhe të njëanshme të inspektoratit./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj